Vuçiq: Radoiçiq ishte aleati im i ngushtë, nuk mund ta ekstradoj në Prishtinë

Nuk mund ta ekstradoj Milan Radoiçiqin në Prishtinë, sepse ne nuk e njohim Kosovën. Ai ishte aleati im i ngushtë, por jo miku im, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për Sky News.

I pyetur nëse Beogradi i ka planifikuar ngjarjet në Banjska dhe i ka ofruar armë një grupi serbësh, si dhe për fotografitë e Policisë së Kosovës, të cilat tregojnë se shumica e armëve të konfiskuara janë prodhuar në Serbi, Vuçiq thotë se është gjithmonë më e lehtë të akuzosh Beogradin.

“Kush do të besojë se në fakt është diçka ndryshe, pothuajse askush”, tha Vuçiq.

Ai është i bindur se është e lehtë të gjesh armë dhe jo vetëm në tregun e zi.

Më 24 shtator, një grup personash të maskuar dhe armatosur sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit – komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.

Si pasojë e sulmit, mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe autoritetet thanë se gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues.

Kosova ka fajësuar Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

Millan Radoiçiq – që ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka deklaruar se ka përgatitur dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

Autoritetet në Kosovë, që kanë argumentuar se synimi i sulmuesve ishte “aneksimi i veriut”, kanë paraqitur dëshmi për përfshirjen e Radoiçiqit në sulm, përfshirë edhe pamje me dron ku Radoiçiq shihet i armatosur në Banjskë.

Kosova ka kërkuar një hetim ndërkombëtar për të përcaktuar nëse Serbia është përfshirë në sulm. BE-ja ka thënë se po pret përfundimin e hetimeve për të vendosur nëse do të ndërmarrë masa, teksa në bllokun evropian disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet për ngjarjet në Banjskë./21Media

Back to top button