Vuçiqi: Kurti ka vendosur ta sulmojë Serbinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, ka vazhduar propagandën e tij përmes një video të publikuar në rrjetet sociale duke thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka vendosur ta sulmojë Serbinë”.

“Me urdhër të Albin Kurtit, sot është shkarkuar nga institucionet kosovare, gjykatësja Liljana Stevanoviq, është përgatitur shkarkimi i të gjithë komandantëve të policisë, të cilët ishin në takimin e Këshillit të Sigurisë Nacionale në Beograd”, ka thënë Vuçiqi.
Ai tutje ka shtuar se “Kurti e ka shkelur marrëveshjen e Brukselit dhe sipas vullnetit të tij dhe atyre që e mbrojnë, marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më. Kurti është ai që dëshiron të shkatërrojë paqen në Kosovë, me këto vendime ai dëshiron të sulmojë populli serb kudo që jeton”.
Vuçiqi thirri mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Nacionale të Serbisë, të martën, pasi u bë e ditur se Prishtina zyrtare nuk do të lejojë zgjedhje të Serbisë në territorin e Kosovës.
Në këtë mbledhje, morën pjesë një ministër i Qeverisë Kurti, disa deputetë serbë të Kuvendit të Kosovës dhe zyrtarë të tjerë serbë të institucioneve të Kosovës.
Për këtë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) sot ka suspenduar kryetaren e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, L.S, deri në një vendim të radhës./21Media
Back to top button