Vushtrria ndalon përdorimin e telefonave në shkolla

Drejtori i Arsimit në Vushtrri, Albanez Tahiraj, sot ka lëshuar një vendim për ndalimin e përdorimit të telefonave në shkolla.

E gjithë kjo si pasojë rasteve të përhapura me lojërat e rrezikshme të rrjetit social “TikTok”, ku nxënësit i praktikonin nëpër shkolla dhe si pësojë u lënduan disa nxënës.

“Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të ruajtuar mirëqenien dhe sigurinë e nxënësve tanë, bazuar në kompetencat e DKA-së kemi nxjerrë vendim për ndalimin e përdorimit të telefonave nga nxënësit në shkolla! Të alarmuar nga rastet e vazhdueshme që shfaqin dhunë, urrejtje dhe lojëra të rrezikshme, vetlëndime në mesin e nxënësve, po e riaktualizojmë ndalimin e përdorimit të telefonave, me theks të veçantë nga nxënësit gjatë procesit mësimorë! Ky vendim i kontribuon jashtëzakonisht shumë mirëqenies psikologjike të nxënësve, rrit fokusin e tyre në mësimnxënie, përmirëson sjelljet sociale dhe rrit bashkëpunimin social! Apelojmë tek prindërit dhe të gjithë akterët tjerë që të shtojnë kujdesin për fëmijët e tyre dhe të monitorojnë sjelljet dhe veprimet e fëmijëve! Mbesim të përkushtuar në monitorimin e zbatimit të këtij vendimi!”, ka shkruar Tahiraj në Facebook.

Back to top button