Vushtrria shpall gjendje gatishmërie emergjente pas reshjeve të dendura të shiut

Komuna e Vushtrrisë ka shpallur gjendje gatishmërie emergjente për shkak të reshjeve të dendura të shiut, të cilat kanë shkaktuar rrezik për qytetarët dhe pasurinë materiale. Vendimi është marrë më 7 janar 2026 nga Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
Sipas vendimit zyrtar, është aktivizuar Shtabi për Gatishmëri Emergjente, ndërsa banorët e zonave të rrezikuara nga vërshimet janë udhëzuar të jenë vigjilentë dhe, në rast nevoje, të ndërmarrin masa për evakuim dhe vendosje në vende të sigurta.
Po ashtu, kryetarët e këshillave të fshatrave dhe lagjeve urbane janë obliguar të përcjellin nga afër situatën në terren dhe të koordinohen me autoritetet komunale për menaxhimin e gjendjes emergjente. Familjet, bizneset dhe ekonomitë bujqësore të ekspozuara ndaj rrezikut janë ftuar të mbrojnë jetën e njerëzve, bagëtinë dhe pasurinë materiale.
Njësia e Zjarrfikësve dhe OKMF, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë vënë në gatishmëri të plotë për intervenime emergjente. Qytetarët mund të raportojnë çdo rast emergjent në numrat 045/603645 dhe 044/196814.