VV-ja kundërshton shtyrjen e afateve për votimin me postë

Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është kërkuar që të shtyhet pika 3.1 e rendit të ditës, që parasheh shqyrtimin e opsioneve dhe afateve për votimin përmes postës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, kundërshtoi shtyrjen e afateve, duke paralajmëruar se një vendim i tillë mund të rrezikojë seriozisht të drejtën e votimit të mërgatës.
“Sot jemi më 6 dhjetor dhe personat e përfshirë në këtë proces po punojnë mbi 12 orë. Nëse nuk vendosim sot për këtë dokument, shkojmë drejt dështimit. Çfarëdo vonese futet në domenin e rrezikimit të procesit”, u shpreh Krasniqi.
Ndërkohë, anëtari i KQZ-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se ekziston edhe mundësia alternative për dërgimin e fletëvotimeve përmes platformës elektronike, duke kërkuar që të mos paragjykohet funksionimi i postës.
Anëtarët shkuan në pauzë për t’u rikthyer pas 45 minutave.