VV-ja tregon pse s’shkoi në seancë

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për media rreth çështjes së librave dhe seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, të hënën.

Ardian Gola, kryesues i Komisionit për Arsim, ka thënë se fillimi i vitit shkollor ka qenë i rregullt e se vendimi për librat ka eliminuar praktikat korruptuese.

Ai ka thënë se VV-ja e ka bojkotuar seancën e jashtëzakonshme për librat sepse ajo ka qenë politike dhe ka pasur tendencë që t’ua prishë disponimin nxënësve. Sipas tij, duhet të priten të dhënat e sakta për të diskutuar rreth këtij vendimi.

Në ketë konferencë është bërë e ditur se deri më tani 130 mijë prindër kanë aplikuar për rimbursimin e librave e se mësimi nuk ka filluar në 18 shkolla, jo për shkak mungesës së librave, por për shkak të renovimeve.

“Kemi një fillim të rregullt të vitit shkollor, edhe viteve të kaluara kemi pas vonesa, duhet të presim epilogun e këtij procesi, sepse nuk ka asgjë të pazakontë përveç një vendim i cili po mundohet ta heq një praktikë korruptuese. Kemi të bëjmë me një ndryshim të praktikes të distribuimit, përkatësisht shpërndarjes së librave shkollorë nëpër shkolla për fëmijët tanë. Ne ende nuk i dimë implikimet e këtij vendimi për të zhvilluar ndonjë debat të mirë-informuar dhe mbi informata të sakta, për shkak se procesi po vazhdon dhe kemi një fillim vit plotësisht në rregull shkollor”, tha Gola.

Deputetja Arjeta Rexhepi, tha se deri më tani 18 shkolla në gjithë Kosovën nuk kanë filluar procesin mësimor.

Sipas saj, procesi mësimor në këto shkolla nuk ka dështuar për shkak të mungesave se librave, por për shkak të renovimeve, ku sipas saj kjo ka ndodhur më komunat që udhëhiqen nga opozita.

“Nga MASHT na kanë njoftuar se në 18 shkolla nuk ka filluar procesi mësimor, jo për shkak të mungesës së librave por për shkak të infrastrukturës. Kjo ka ndodhur në ato komuna ku qeverisë opozita edhe nuk ka filluar procesi mësimor, pra ato nuk kanë filluar në komunën e Prishtinës, Prizrenit dhe Mitrovicës. Numri i aplikuesve për subvencionim është 130 mijë aplikues”, ka thënë ajo.

E deputetja Arjeta Fejza, tha se ligjet aktuale për furnizim me tekste shkollore kanë shumë të meta, sipas saj, ligji i ri i mundëson rritjen e cilësisë së teksteve mësimore. Ajo tha se ky ligj i ka kaluar të gjitha procedurat dhe pritet që të miratohet në Kuvend.

Fjalën më pas e ka marrë deputeti Kokaj, i cili e ka “pështjelluar” çështjen e teksteve mësimore, duke akuzuar shtëpitë botuese për abuzim me çmime.

“Unë dëgjova në Tiranë që një libër ishte 2.2 euro, nuk e di si quhej titulli i librit, kurse në Kosovë 6.3 euro. Shto këtu edhe faktin që përveç tekstit bazë ekziston edhe një ndajshtesë që quhet fletore pune, ato plus kanë një kosto të veçantë. Konsideroj që ka qenë e nevojshme që të bëjë një hap të reformimit, të organizimit të këtillë dhe se ky është hapi i pare. Se njeriu plaket duke nxënë. Edhe ky i kësaj ministrie ka një gabim të caktuar, por në qoftë se kuantifikohet gabimi, defundohet. Jemi koshient që gjithmonë ekzistojnë gabimet por jo me nihilizëm të sillemi…”, ka deklaruar Kokaj.

Back to top button