VV kërkon hapjen e urës mbi lumin Ibër

Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore ka mbështetur në seancën e sotme vendimin për hapjen e urës së Ibrit edhe për qarkullimin e automjeteve, i cili ishte marrë në prill të vitit të kaluar.
Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore ka mbështetur në seancën e sotme vendimin për hapjen e urës së Ibrit edhe për qarkullimin e automjeteve, i cili ishte marrë në prill të vitit të kaluar.
Kjo iniciativë ishte nisur nga këshilltarja e këtij Kuvendi e cila vjen nga radhët e Vetëvendosjes, Aida Doli.
Gjatë kësaj seance, Betim Osmani, propozoi edhe shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit, Nexhat Uglanin, me arsyetimin se nuk ka punuar sa duhet dhe nuk ka qenë bashkëpunues me të tjerët, por që ky propozim u kundërshtua me 13 vota nga gjithsej 14 këshilltarë sa ka ky Kuvend.
Në këtë seancë po diskutohen disa pika të rendit të ditës, siç janë “raporti i Drejtorisë së Inspekcionit’, “propozim vendim për transferin e mjeteve financiare nga investimet kapitale në mallra dhe shërbime etj.
Ka kërkesa që seanca e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut të vazhdojë pa praninë e mediave.
Ura mbi lumin Ibër që nga viti 1999 e ndanë Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe.
Vendimi për hapjen e urës u mor në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut prillin e vitit 2023, por ky vendim nuk është zbatuar ende.
Kjo komunë udhëhiqet nga Erden Atiq, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje – partia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Kundër zbatimit të vendimit për hapjen e urës mbi Ibër është shprehur Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Kjo parti tha se hapja e urës për automjete është “absolutisht e panevojshme, e papranueshme dhe një lëvizje përshkallëzuese, që synon destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.
Lista Serbe, përmes një njoftimi, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që “t’i tregojë Kurtit se hapja e urës nuk mund të bëhet pa pëlqimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës”.
Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe – ku gjendet edhe Mitrovica e Veriut – tensionet janë të larta që kur serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022.
Në periudhën që ka pasuar, Prishtina zyrtare i ka zëvendësuar pjesëtarët e policisë nga komuniteti serb me pjesëtarë të komuniteteve të tjera, kryesisht nga ai shqiptar. Po ashtu, ka mbajtur zgjedhjet lokale, të cilat janë bojkotuar nga qytetarët serbë – gjë që u ka mundësuar, pastaj, kandidatëve shqiptarë të marrin pushtetin.
Që atëherë, kanë ndodhur disa kriza dhe incidente përfshirë edhe një sulm i një grupi serbësh ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, kur u vra një polic. Në përleshjet që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Po ashtu, popullata lokale ka shprehur pakënaqësi me vendimin e fundit të autoriteteve të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serbë për kryerjen e pagesave me para të gatshme.