VV: Me 14 shkurt, garojmë me 110 kandidatë

 

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas vendimit të Supremes për të moscertifikimin e bartësit të listës së saj, Albin Kurtit, dhe dy kandidatëve tjerë për deputetë Albulena Haxhiut e Bajram Mavriqit.

Në postimin e VV-së thuhet se 110 kandidatët e listës garojnë me 14 shkurt.

“E pamë vendimin e fundit të Gjykatës Supreme. Ky vendim i kundërvihej aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Zgjedhjet do të mbahen më 14 shkurt, ndonëse ka përpjekje për pamundësimin e tyre. Ankesa në Gjykatën Kushtetuese do t’u jepte shpresë këtyre përpjekjeve. Lista jonë me 110 kandidatë garon në referendumin e 14 shkurtit. Vazhdojmë me aktivitetet tona drejt fitores plebishitare”, thuhet në postimin e VV-së në Facebook.

Gjykata Supreme njoftoi sot se ka pranuar pjesërisht ankesën e ushtruar nga Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me heqjen nga lista të pesë kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, është pranuar pjesërisht e themeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme. Është ndryshuar pjesërisht vendimi i PZAP-së, Anr.17/2021, dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Nr.244-2021,  lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë, duke urdhëruar KQZ-në, që kandidatët për deputetë Liburn Aliu dhe Labinotë Demi- Murtezi, t’i përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e LVV-së, duke vërtetuar vendimin e PZAP-së”, u bë e ditur në njoftimin e Gjykatës Supreme./21Media

Back to top button