VV thotë se nuk do të ankohen në Supreme, KQZ-ja pret përfundimin e procedurave ligjore

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ bënë të ditur se nuk do të ankohen në Gjykatën Supreme pasi që siç thonë edhe kjo gjykatë do të vendos në favor të Listës Serbe me arsyetimin e njëjtë si të PZAP-së. Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se po pret përfundimin e afatit të caktuar për ankesa ndaj vendimit të PZAP-së, përpara ta fus në rend dite certifikimin e listës serbe.
Pasi Paneli Zgjedhor për ankesa dhe parashtresa anuloi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe si dhe e urdhëroi atë që ta certifikojë këtë parti, anëtarë të Vetëvendosje në KQZ thanë se ankimi në Supreme ndaj këtij vendimi do të ishte i kotë.
Sami Kurteshi nga kjo parti, tha se do të mbajnë qëndrim të njëjtë kundër Listës serbe sikurse herën e kaluar.
“Unë mendoj se nuk ka ndonjë kuptim me u anku në Gjykatë supreme sepse edhe ata do të kenë të njëjtin arsyetim, kështu që ne do të mbajmë qëndrimin tonë, kemi bindjet tona. Vendimi i PZAP-së është i punuar sipas atij parimi “me letra krejt në rregull”, tha Kurteshi.
Anëtarë të PDK-së në KQZ të cilët kishin abstenuar për certifikimin e Listës Serbe, ndërkaq nuk bërë të ditur nëse do të ankohen në supreme dhe se nëse do ta kenë qëndrimin e njëjtë abstenues duke thënë se do të presin që kjo çështje të diskutohet përbrenda KQZ-së.
Ndërkohë KQZ-ja është në pritje të përfundimit të afatit ligjor për ankesa në Supreme për vendimin e PZAP-së.
“Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj, KQZ, para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore”, tha Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, thotë se vendimi i PZAP-së për anulimin e vendimin e KQZ-së është në përputhje me ligjin, ndërsa moscertifikimin e Listës Serbe e cilëson si një lojë politike.
Të hënën KQZ-ja nuk e certifikoi Listën serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit pasi anëtarët e saj nga Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër me arsyetimin se Lista Serbe i referohet vendit si Kosovë e Metohi.
Por përfaqësuesi i Vetëvendosjes në KQZ, Kurteshi thotë se kjo nuk është arsyeja e vetme që e kundërshtojnë certifikimin e listës serbe derisa mohoi se veprimi i tyre po behët për fushatë zgjedhore.
“Kjo nuk është arsyeja kryesore dhe as e vetme… unë thjesht kam has në atë incizimi dhe e kam lëshu. Kemi një varg faktesh dhe dëshmish që lista serbe është pjesë e organizatave terroriste, kanë bërë veprime terroriste dhe vazhdojnë të bëjnë”, tha Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së nga Vetëvendosje.
Moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja u përcoll me reagime te ashpra të faktorit ndërkombëtar i cili shprehur shqetësim dhe bëri thirrje që procesi zgjedhor të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike./RTV21/21Media