Washingtoni e zyrtarizon 17 shkurtin si Dita e Pavarësisë së Kosovës

Ambasada e Kosovës në Washington DC ka njoftuar se tashmë kryetarja e kryeqendrës së SHBA-së, Muriel Bowser, ka vendosur që ta shpall 17 shkurtin, ditën e pavarësisë së Kosovës, si datë zyrtare në Washington DC.
Në vendimin e publikuar nga zyra e saj, theksohet se që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë përparim të madh në promovimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare.
Dokumenti vë në pah gjithashtu lidhjen e veçantë dhe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike, partneritet afatgjatë dhe respekt të ndërsjellë.
Aty përmendet edhe kontributi i komunitetit shqiptaro-amerikan në pasurimin kulturor dhe jetën qytetare të Washington DC-së, si dhe bashkëpunimi me Ambasadën e Republikës së Kosovës për shënimin e përvjetorit të pavarësisë.