Webfaqet e komunave tërësisht jashtë funksionit

MAPL premton se gjatë ditës do të rregullohen

Webfaqet zyrtare të komunave janë tërësisht jashtë funksionit. Në lidhje me këtë çështje, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimin për portalin rtv21.tv ka thënë se MAPL është përgjegjëse dhe duhet të merren masa.
“Përkundër problemeve të vazhdueshme me muaj të tërë, në ditët e fundit funksionimi i webfaqeve të Komunave është tërësisht jashtë funksionit. Komunat e Republikës së Kosovës, ende janë duke u ballafaquar me probleme në fushën e teknologjisë informative, mosfunksionimin e web faqeve të Komunave dhe kjo po vështirëson punën në kryerjen e detyrave të përditshme. Kështu problemet me webfaqe në Komuna po kanë efekt edhe në afate ligjore të Komunave në shume procese, pastaj qytetarët po ankohen për mungesë transparencë dhe kështu ky problem është bërë pengesë e jashtëzakonshme në kryerjen e punëve ditore të Komunave të Republikës së Kosovës. Lidhur me këtë problem, Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka dërguar disa kërkesa Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, por pa ndonjë efekt pozitiv në këtë drejtim”, ka thënë Ibrahimi.
Tutje Ibrahimi ka thënë se komunat shprehin nevojën urgjente në tejkalimin e kësaj situate nga institucionet përgjegjëse sikurse është Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI).
Në anën tjetër portali rtv21.tv ka kontaktuar me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL). Sipas tyre, ky problem ka ardhur si pasojë e serverit të webfaqeve. Ndërsa, premtojnë se gjatë ditës do të rregullohet.
“Webfaqet kanë problem me serverin kështu e kemi informatën nga kompania dhe ASHI, gjatë dites besoj se rregullohet”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së, duke hedhur përgjegjësinë te Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI-së).
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimin për portalin rtv21.tv ka theksuar se ky problem po i ndëshkon komunat.
“Duhet ritheksuar se kjo gjë, ndëshkon Komunat, sidomos gjatë procesit të vlerësimit të transparencës, gjatë vlerësimit të performancës komunale, në procesin e publikimit të dokumenteve për konsultimet me publikun, sepse dihet që shumica e dokumenteve kanë afat kohor të caktuar të publikimit. Dhe këto ndëshkime pastaj bëhen tërësisht pa fajin e Komunave dhe Zyrtarëve të ngarkuar për këto çështje”, ka thënë Ibrahimi.
Komunat kanë bërë të ditur se probleme të tilla kanë që nga data 28.10.2022/21Media

Back to top button