Ymeri: Paga minimale të rritet urgjentisht në 250 euro
Rritje pagash nuk ka pasur që nga voto 2011
Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, në një konferencë për media, ka folur rreth nevojës urgjente të ngritjes së pagës minimale në vend, gjë e cila nuk ka ndodhur prej vitit 2011, ndërkohë që në sektorin publik gjatë kësaj periudhe ka pasur tri herë ngritje pagash.
Ai tha se PSD-ja si parti kanë kërkuar interpelancë në Kuvend lidhur me çështjen e pagës minimale në vend, por kjo nuk ka ndodhur ende.
“Prej 5 shkurtit, janë bërë 70 ditë dhe ende nuk ka ndodhur interpelanca. Paga minimale që e kemi tani është nga 2011. Ne si institucione kemi harruar vështirësinë ekzistenciale të punëtorëve. Njëra prej këtyre punëtoreve që m’u ka lutur të mos ia përmend emrin, ishte nënë e dy fëmijëve, pa burrë, dhe e kishte pagën minimale. Të jesh i rrezikuar nga varfëria është të jesh i uritur, por edhe kur e mbush barkun, je i kequshqyer”, tha Ymeri.
Rritja e pagës minimale në 250 euro, sipas Ymerit është masa emergjente dhe si parti presin që sot apo ditëve në vijim të diskutohet kjo çështje në interpelancë.
Paga minimale në Kosovë, ndonëse sipas Ligjit të punës do të duhej të përcaktohej çdo vit, që nga viti 2011 vazhdon të jetë 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35-vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35-vjeç.
Këshilli Ekonomik-Social, i cili përfshinë përfaqësuesit e punëtorëve, bizneseve dhe institucionet e vendit, qysh në vitin 2017 kishte propozuar që paga minimale të rritet, por që propozimet e dhëna deri më tani nuk kanë hyrë në fuqi.