Ymeri thotë se po linçohet vetëm pse bëri pyetje për gazin amerikan

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka thënë se ka marrë mesazhe e komente linquese, sipas saj, vetëm pse është interesuar për projektin e gazit amerikan.
Për këtë ajo ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje, pasi siç ka thënë “mesazhi i tyre, ashiqare prej taborit të VV është: po punon kundër Republikës”.
“Prej mbrëmë, njerëz me identitet e pa identitet kanë shkruar komente, poste, mesazhe pa ndal kundër meje pse jam interesuar për projektin e gazit amerikan. Mesazhi i tyre, ashiqare prej taborit të VV është: po punon kundër Republikës. Këto mesazhe janë të rrejshme, edhe të rrezikshme për punën time në interesim për mundësinë. Nëse keni menduar që fjalia e parë edhe e fundit vjen nga Kurti e ministrja pa e kuptuar edhe çfarë po ofrohet nga pala ndërkombëtare, e keni pas gabim përshtypjen”, ka shkruar Ymeri në një postim në Facebook.
Ajo ka thënë se për këtë çështje duhet diskutim në Kuvend e hetime ndërkombëtare.
“Me komente linçuese vetëm e tregoni frikën që keni. Kjo punë është për Kuvend ta kuptojnë të gjithë se çfarë ofrohet edhe të përballemi me kryeministrin e ministren se çfarë plani kanë saktë e jo përralla të 2050-tës. Po nuk duhet të lihet me kaq, nevojiten edhe hetime ndërkombëtare kur sistemi ynë i drejtësisë po auditon relievin, sepse ndikimi i mafisë energjetike, Kinës e Rusisë duhet të vlerësohet sa ndikon në ekonomi e politikë të Kosovës e Ballkanit”, ka shkruar ndër të tjera Ymeri.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?