Me t’u konstituuar Kuvendi në Maqedoninë e Veriut menjëherë nisën bisedimet për formimin e shumicës.

Deri sa kreu socialdemokrat Zoran Zaev fliste në Kuvend, në Klubin e Deputetëve arriti kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi.

Me pak vonesë erdhi edhe Zaev me bashkëpartiakët, ndërsa takimi zgjati rreth 30 minuta.

Vetë Thaçi nuk deshi të flasë për media, e në vend të tij foli nënkryetari Azem Sadiku, i cili tregoi se PDSH mori ftesë për bashkëqeverisje dhe e pranoi atë.

“Ne si parti e pranuam ftesën. Janë formuar grupet punuese që do ti udhëheqë sekretari i partisë bashkë me sekretarin e LSDM-së, do të bisedojnë gjatë ditëve të ardhshme për mundësitë për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme” tha Sadiku.

Nuk është folur për detaje apo për ndarjen e resorëve, tha Sadiku. Socialdemokratët ndërkaq nuk ndaluan aspak para gazetarëve.

Për punën e bisedimeve për koalicione Zaev foli në Kuvend, ku paralajmëroi se nga sot e tutje do të ketë takim me të gjitha partitë shqiptare.

Thotë se të gjitha opsionet janë të hapura dhe se numrat i mundësojnë koalicionit “Mundemi” që të formojë qeveri si me BDI-në, po ashtu edhe me koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

“Falë Zotit koalicioni Mundemi e drejtuar nga LSDM mund të formojë qeveri edhe me BDI-në, edhe me Aleancën dhe Alternativën. Varet nga mënjanimi i nacionalizmit, varet nga një kapitull i plotë për pastrimin e gjyqësorit, kontrolli i pasurisë, kapitali i çdo politikani e zyrtari, potenciali kadrovik, para së gjithash në aspektet ligjore dhe ekonomike të shtetit” u shpreh Zaev, kryetar i LSDM-së.

Në dy përpjekje të gazetarëve, Zaev nuk u përgjigj nëse ende mendon se “BDI nuk vlen 5 pare”. Tha se për këto fjalë as nuk ka nevojë t’i kërkojë falje Ahmetit, gjë që kreu integrist e pati kërkuar.

“Nuk e kam ndërmend askujt ti kërkoj falje. Të gjitha qëndrimet tona kanë qenë kredibile, të argumentuara dhe të arsyetuara” tha kreu socialdemokrat.

Kur bëhet fjalë për ndarjen e postit të kryeministrit, në variante “2 me 2” ose “3 me 1”, Zaev tha se është i gatshëm të dëgjojë çdo mendim.

“Do t’i dëgjojmë ofertat, mendimet, nga të gjitha partitë politike dhe në bazë të kësaj do të vlerësojmë dhe prejmë se si do të bisedojmë” tha Zaev.

E pasi e tha këtë, shtoi se nuk mund ta kesh postin e kryeministrit me 15 deputetë, pra aq sa ka BDI-ja.

“Duhet të kesh edhe numra për Kryeministër. Me 15 deputetë nuk e merr Kryeministrin!” u shpreh Zaev.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti pohoi sot se ende nuk ka diçka konkrete sa i përket bisedimeve BDI-LSDM. Tani për tani nuk dihet agjenda e takimeve të Zaevit për të biseduar për formim të shumicës. /TV21