Zbatimi i ligjit të gjuhëve, VMRO-DPMNE thërret institucionet në bojkot
Nga VMRO-DPMNE parashohin se ligji do ta bllokojë punën e institucioneve me përkthime dhe arkiva të dyfishta
Përveç maqedonishtes, me ligjin për përdorimin e gjuhëve, të gjitha institucionet në nivel qendror dhe lokal në Maqedoni, tashmë obligohen edhe me përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, të cilën e flasin mbi 20% e qytetarëve të Maqedonisë. Të gjitha institucionet tani duhet të krijojnë kushte për përdorimin e shqipes në përditshmëri, thotë zëdhënësi i Qeverisë Muamet Hoxha. Por sa institucionet tona aktualisht kanë kapacitet për ta realizuar këtë?
“Se sa ka kapacitet, çdo institucion duhet të bëjë analizë të kapaciteteve që posedon dhe varësisht nga analiza e dalë duhet t’i ndërmerr edhe hapat të cilat do të përmirësojnë kapacitetet, resurset njerëzore, me qëllim të zbatimit në tërësi në praktikë të ligjit. Siç e dini me nen të veçantë në ligj është paraparë edhe formimi i inspektoratit i cili do të ndjekë, monitorojë zbatimin në praktikë të ligjit për përdorimin e gjuhëve nga ana e të gjitha institucioneve”, ka thënë Muamet Hoxha, Zëdhënës i Qeverisë.
Nga qeveria thonë se ende nuk e dinë se sa do t’i kushtojë zbatimi i këtij ligji. Institucionet duhet që në afat prej 6 muajve të fillojnë implementimin dhe t’i realizojnë ndryshimet. Megjithatë para dy ditësh zëvendëskryeministri Bujar Osmani për TV21 tha se mund të pritet që ligji i gjuhëve të fillojë të zbatohet pas votimit të Marrëveshjes së Prespës në kuvendin grek, që tabelat dhe dokumentet zyrtare të vijnë në dy gjuhë si dhe me emrin e ri të shtetit.
Për zbatimin e ligjit, neni 18 parasheh themelimin e Agjencisë për zbatimin e gjuhës që e flasin mbi 20% e qytetarëve, ndërsa për monitorim të zbatimit parashihet edhe formimi i Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve. Por opozitarja VMRO-DPMNE që ligjin e konsideron antikushtetues, i inkurajon institucionet ta bojkotojnë zbatimin e ligjit, madje për këtë u ofron edhe ndihmë juridike.
“VMRO-DPMNE u bën thirrje të gjitha institucioneve në nivel qendror dhe lokal ta bojkotojnë dhe injorojnë zbatimin e këtij ligji të dëmshëm dhe antikushtetues. Nëse përgjegjësit e institucioneve përballen me çfarëdolloj problemi ose kërcënimi, VMRO-DPMNE-ja dhe komisioni i saj juridik u qëndron në disponim për ndihmë juridike ose të tjera”, ka thënë Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.
Nga VMRO-DPMNE parashohin se ligji do ta bllokojë punën e institucioneve me përkthime dhe arkiva të dyfishta, por nga qeveria rikujtojnë se ligji parashikon edhe gjoba në rast të moszbatimit.
“Ligji vlen për të gjithë, që në këtë rast vlen edhe për të gjitha institucionet. Ato institucione që nuk do ta praktikojnë përdorimin e gjuhëve në pajtueshmëri në ligjin që ka hyrë në fuqi, parashihen edhe ndëshkime me nen të veçantë në ligjin në fjalë”, ka thënë Muamet Hoxha, Zëdhënës i Qeverisë.
Neni 22 i ligjit për përdorimin e gjuhëve parashikon gjoba prej 4 mijë deri në 5 mijë euro në kundërvlerë të denarit për institucionet që obligohen, por nuk e respektojnë ligjin. Madje sipas të njëjtit nen, 30% e gjobës së matur do t’i shqiptohet zyrtarit apo personit përgjegjës./21Media