Zbatimi i MSA-së duhet të dinamizohet

Ministrja Hoxha raportoi para Komisionit për Integrim Evropian

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha raportoi sot para Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian, ku potencoi se pas hyrjes në fuqi të MSA-së më 1 prill 2016, Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2019–2023 është programi i 4-të me radhë për zbatimin e MSA-së, i dakorduar mes Bashkimit Evropian dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Qeveria pas një procesi gjithëpërfshirës konsultativ më 19 mars 2019, ka miratuar PKZMSA-në 2019-2023, bazuar  në strukturën e Kritereve të Kopenhagës, të ndara në 3 blloqe kriteresh: politike, ekonomike dhe standardet evropiane, duke përfshirë përafrimin e legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së”, ceku Ministrja Hoxha dhe shtoi se vëmendje e veçantë u është kushtuar tri aspekteve: Bashkëpunimit më të ngushtë me institucionet, konform reformave të propozuara në Program, Planifikimit të qëndrueshëm dhe realist dhe Kostos buxhetore.

Sipas planit, për vitin 2019, siç theksohet në komunikatën e ministrisë është paraparë realizimi i 70% i reformave,  të paktën 280 masa afatshkurta, reformat institucionale janë të përfshira në këtë program. Kostoja e zbatimit të PKZMSA-së 2019-2023 për këtë vit është rreth 94.4 milionë euro, nga të cilat rreth 81.8 milionë euro nga buxheti i shtetit, rreth 12.6 milionë euro nga mbështetja e donatorëve (BE dhe donatorët bilateralë), pra, nuk ka vakum buxhetor.

“Kuvendi dhe Komisioni Parlamentar për Integrim Evropian janë shtyllat kryesore në aspektin shtyrjes përpara të agjendës legjislative, ashtu edhe atë të koordinuesit për monitorimin e përmbushjes së detyrimeve të marra përsipër nga Kuvendi. Kuvendi do të ndikojë edhe në strukturat e stabilizim-asociimit, në kuadër të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit”, potencoi më tutje Hoxha dhe shtoi se Raporti i parë tremujor mbi zbatimin e PKZMSA 2019 – 2023 parashihet të publikohet në fillim të majit 2019, derisa monitorimi i zbatimit të PKZMSA-së bëhet përmes platformës online./21Media

Back to top button