Zbulohet busti i senatorit amerikan, Bob Dole në Prishtinë

 

Në Prishtinë nga sot do të jetë edhe busti i mikut të madh të Kosovës, senatorit Bob Dole. Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës ka njoftuar se busti i Dole do të zbulohet sot, me rastin e 30 vjetorit të vizitës së delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të udhëhequr nga Dole.

Ceremonia e zbulimit të bustit do të mbahet në ora 13:30 në rrugën Bob Dole në lagjen Dardania në Prishtinë, ndërsa të pranishmëve dhe mediave do t’u drejtohen Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, Ambasadori i SHBA në Kosovë, Philip Kosnett dhe drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka.

Po ashtu, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla do të bëjë zbulimin e pllakës përkujtimore për nder të këtij përvjetori në sheshin “Nënë Tereza” para Grand Hotel Prishtina, në orën 11:00.

Ndërsa, ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të hapë ekspozitën e fotografit Hazir Reka, me fotografi unike nga vizita e delegacionit të senatit amerikan më 29 gusht të vitit 1990. Hapja e ekspozitës do të bëhet në ora 11:10 para Grand Hotel Prishtina.

Back to top button