Zbulohet “Napoleoni” i harruar i Rodinit
Një skulpturë e perandorit francez, Napoleon Bonaparte e krijuar nga mjeshtri Auguste Rodin, është zbuluar rastësisht pasi ishte lënë në harresë prej dekadash në një qytet amerikan.
Statuja prej mermeri të bardhë ishte vendosur në një sallë takimesh në Madison, një komunë me 16,000 banorë në New Jersey dhe për rreth 80 vjet, busti qendronte në një cep i mbështetur pa kujdes.
Por, në vitin 2014 një student 22-vjeçar i historisë së artit i rekrutuar për të marrë inventarin e veprave të artit të ndërtesës, kishte vënë re një nënshkrim “A. Rodin” në stilin e skulptorit të njohur. I intriguar nga zbulimi, Mallory Mortillaro ishte konsultuar me ekspertë dhe ishte futur në arkiva, për të konfirmuar nëse ishte një vepër Rodinit.
Pasi ishte analizuar nga ekspertët në Paris, misteri është zgjidhur: vepra i përkiste Auguste Rodin, babait të skulpturës moderne.
Në koleksionin e dokumenteve të mjeshtrit të madh ishte një fotografi që tregonte Rodin duke pozuar me bustin, i cili besohej se ishte humbur. Në shtator 2015, eksperti Jerome Le Blay, autor i katalogut të artistit udhëtoi për në Madison. Atij i duheshin vetëm disa sekonda për të konfirmuar vërtetësinë e veprës. Le Blay konfirmoi në një intervistë se:”Guri korrespondon saktësisht me atë të përdorur nga Rodin gjatë asaj epoke”./oranews