Zbuloni si ndikon ndotja e ajrit në shëndetin e njeriut
Kosova viteve të fundit është duke u përballur me ndotje të lartë të ajrit. Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, thuhet se viteve të fundit janë arritur partikulat me madhësi PM’10 dhe PM’2.5, në qytetet Prishtinë, Drenas, Mitrovicë, Han të Elezit, Obiliq dhe Gjilan.
Grupet më të ndikuara nga ajri i ndotur sipas specialistes të Shëndetit Publik (IKSHPK) Antigona Ukëhaxhaj, janë grupet me status të ulët socio-ekonomik, moshat e treta, fëmijët dhe ata me sëmundje kronike të cilët janë më shumë të ndjeshëm, dhe shtatzënat.
Specialistja e Shëndetit Publik tutje për portalin rtv21.tv tregon masat që duhet të ndërmarrin për t’u mbrojtur nga ajri i ndotur në vendin tonë.
“Masat specifike: Urgjentisht të hiqen nga përdorimi veturat e vjetra dhe veturat pa katalizator. Inspektoratet e mjedisit të bëjnë kontrollin rigoroz të kualitetit të karburanteve dhe konsumimit të lëndëve të ngurta djegëse që përdoren për ngrohje nga qytetarët. Shtimi i numrit të autobusëve me karburante ekologjike në transport publik. Ndalimi i përdorimit të thëngjillit për ngrohje në amvisëri dhe institucione. Ndalimi i duhanpirjes në lokale, hapësirat e banimit, punës, shkollave dhe spitaleve. Krijimi i një sistemi të integruar të informatave në situata emergjente. Monitorimi transparent dhe i vazhdueshëm i filtrave të termocentraleve”, tha ajo.
Ajo tutje tregon masat individuale të cilat mund t’i bëjmë për të ruajtur ajrin në Kosovë.
“Vozitni më pak gjatë dimrit dhe përdorni trafikun urban ose ecni, përdorni disa persona një veturë, mos digjni vaj të perdorur, goma plastike, mbeturina, thëngjill, drunjë të lagësht për ngrohje, hani shëndetshëm, përdorni shall apo maskë kur jeni jashtë, izoloni shtëpitë”, tregon ajo.
Ukëhaxhaj nga IKSHPK bën të ditur se viteve të fundit shteti i Kosovës, është duke u përballur me ndotje të lartë të ajrit.
“Sipas të dhënave nga 12 stacioneve automatike të monitorimit të cilësisë së ajrit nga Instituti Hidrometeorologjik, dhe monitorimit nga Ambasada e SHBA-ve, Kosova viteve të fundit po përballet me ndotje të lartë të ajrit me partikulat me madhësi PM10 dhe PM2.5, dhe ndotës të tjerë në qytete si Prishtina, Drenasi, Mitrovica, Hani i Elezit, Obiliqi dhe Gjilani. 85 % e ndotjes së ajrit vjen nga transporti rrugor i cili liron gazra të shkarkuara të cilat ndotin ajrin, rrisin efektin serrë, kemi ndotje nga zhurma dhe tërë kjo pastaj ndikon në përkeqësimin e shëndetit public”, deklaron Ukëhaxhaj për rtv21.tv.
Pulmologu Besim Morina në një prononcim për portalin rtv21.tv, ka thënë që njëra nga patologjitë më të shpeshta të cilat shkaktohet nga ndotja e ajrit është astma apo bronkiti.
Shëndeti respiratorë nga rritja e lartë e ndotjes së ajrit sipas pulmologut në Kosovë ka rritje mjaft të lartë.
“Në mënyrë të veçantë ka rëndësi në shfaqjen dhe përkeqësimin e problemeve respiratore. Si pasojë e nivelit te lartë të ndotjes së ajrit në vendin tonë, shëndeti respirator është mjaft i rënduar. Ndotja e ajrit paraqet një nga problematikat më të rëndësishme që ndikojnë në gjendjen shëndetësore të popullatës sonë”, tha ai.
Vdekje dhe sëmundja nga problemet me frymëmarrje me faktorë të ajrit të ndotur dhe duhanpirjes po cilësohet sipas tij se është njëra nga faktorët e vdekjes në vendin tonë.
“Problemet e frymëmarrjes tek ne janë ndër faktorët me të shpeshtë të vdekshmërisë dhe sëmundshmërise tek ne, dhe këto paraqiten në mënyrë të drejtëpërdrejt nga dy faktorë, duhanpirja dhe ndotja e ajrit. Këta dy faktorë kanë ndikim shumë të madh edhe në përkeqësimin e sëmundjeve preekzistuese dhe atyre kronike”, bënë të ditur ai.
Cilat janë pasojat e paraqitjes që mund të marrin personat me sëmundje kronike, nëse ekspozohen në ajër me ndotje të lartë?
“Kjo shihet tek personat të cilët vuajnë nga problemet me rrugët e frymëmarrjes, si Astma apo Bronkitet, të cilët në rast të ekspozimit në nivele të larta të ndotjes, si tek rastet e pikut të komunikacionit, mund të përkeqësohen dhe si pasojë iu nevojitet terapi shtesë, apo edhe shtrim në spital. Specialistët e fushës gjithmonë rekomandojnë që ky grup i popullatës t’a evitojë një ekspozim të tillë, që në rastet e niveleve të larta të ndotjes të evitojnë lëvizjet në qytet, dhe të qëndrojnë jashtë qytetit apo brenda banesave të tyre”, tregon Morina për rtv21.tv.
Pulmologu Besim Morina i pyetur për kategoritë më të rrezikuara me sëmundje kronike nga ajri i ndotur, ai tregon se moshat e reja, fëmijët, gratë shtatzëna dhe lehonat janë më të rrezikuarat.
“Të sëmurët me sëmundje kronike në pergjithësi, sidomos janë ata me sëmundje kronike respiratore, kardiovaskulare e malinje, pastaj moshat e vjetra, femijët e gratë shtatzana e lehonat. Niveli i ndotjes është me shumë rëndësi që të përcillet nga personat me probleme kronike respiratore dhe personat e grupacioneve të ndjeshme të popullatës”, tregon ai.
Aktivistia për mbrojtjen e mjedisit Egzona Shala, në lidhje me çështjen e ajrit të ndotur në Kosovë thotë se përdorimi i lëndës djegëse qymyr në anvismëri ndikon negativisht në cilësinë e ajrit.
Shala për portalin rtv21.tv, thotë se Kosova B ka tejkaluar kufitë e planifikuara për 7. 2 herë në aspektin vjetorë me lirimin e gazrave të dëmshëm në sipërfaqen e tokës
“Në bazë të matjeve që tashmë e dimë se për diqka kemi vendin e parë dhe fatkeqësisht për cilësi të ajrit në shumicën e ditëve, mirëpo cilësia e ajrit shkon në masa vjetore dhe duhet të bëhet një krahasim shkencorë. Ne kemi një studim të fundit i cili është nga bashkpunëtorët tanë që është matur në nivel ndërkombëtarë dhe në nivel të shteteve të Ballakanit ku si shembull kisha mundur me treguar se vetëm Kosova B ka tejkaluar kufitë e planifikuara për 7. 2 herë në aspektin vjetorë lirimin e gazrave të dëmshme në sipërfaqen e tokës”, bënë të ditur Shala.
Sa i përket përdorimit të lëndës djegëse qymyr në Kosovë, ajo thotë se derisa kjo lëndë djegëse të ketë përdorim dot të ketë probleme me cilësinë e ajrit.
“Mundemi me marr parasysh qka do të thotë për një shtet i cili e toleron një industri kaq të ndotur tejkalime, deri në 7 herë në lirimin e tyre që nuk do të duhej të ishte. Fatkeqësisht Kosova me vartshmërinë e saj me qymyr nuk i ka punët në aspektin e cilësisë së ajrit dhe”, tha ajo për portalin rtv21.tv
Personat me sëmundje të kancerit duhet të kenë të monitoruar cilësinë e ajrit në mjedisin se ku jetojnë dhe punojnë. Simptomat e kancerit të ndikuar nga ajri i ndotur mund të jenë të ngjashme me simptomat e tjera shëndetësore kështu ka bërë të ditur specialisti i onkologjisë Behar Raci.
Ai për portalin rtv21.tv, në lidhje me këtë çështje, tha se ajri i ndotur është një faktorë i rëndësishëm i cili ndikon në krijimin e sëmundjes së kancerit dhe gjithashtu sipas tij këto pasoja mund të arrijnë deri tek krijimin i mutacioneve gjenetike.
“Ajri i ndotur është një faktor shumë i rëndësishëm në krijimin e kancerit. Për shkak të substancave toksike dhe kimike që gjenden në ajër, ata mund të depërtojnë në trupin tonë përmes frymëmarrjes dhe të shkaktojnë dëme në qelizat tona. Këto dëme mund të shkaktojnë mutacione gjenetike që mund të çojnë në zhvillimin e kancerit.
Ajri i ndotur mund të përmbajë edhe materiale të tjera të rrezikshme si pluhur, gazra të ndryshëm dhe mikroorganizma të dëmshëm që mund të shkaktojnë inflamacion dhe dëme në qelizat tona. Këto dëme janë të rrezikshme për shëndetin tonë dhe mund të rrisin shanset për zhvillimin e kancerit”, bënë të ditur Raci.
Specialisti i onkologjisë tregon masat e kujdesit ndaj personave me sëmundjen e kancerit në ekspozim në ajër të ndotur.
“Për personat që kanë të identifikuar sëmundjen e kancerit dhe jetojnë në një mjedis me ajër të ndotur, është e rëndësishme të marrin masa për të mbrojtur shëndetin e tyre. Disa masa të rëndësishme që mund të merren përfshijnë: Personat me sëmundje të kancerit duhet të përpiqen të mbrohen nga ajri i ndotur sa më shumë të jetë e mundur. Kjo përfshin qëndrimin larg zonave me ndotje të lartë ose hapësira me gjelbërim, përdorimin e filtrave të ajrit në ambiente të mbyllura duke minimizuar ndotjen, dhe minimizimin e eksponimit ndaj substancave të rrezikshme në ajër. Nëse cilësia e ajrit është e dobët, ata duhet të marrin masa për të përmirësuar situatën, siç është raportimi i problemeve të ndotjes së ajrit në autoritetet kompetente dhe të kërkojnë këshillën dhe ndihmën e profesionistëve të shëndetit për të menaxhuar më mirë situatën e tyre dhe për të përcjelluar problemet mjekësore me të cilat përballen duke ndikuar pozitivisht në uljen ose ndotjen e ajrit dhe rrezikun e kancerit”, potencon Raci.
Tutje specialisti i onkologjisë tregon simptomat e para të paraqitjes së kancerit të ndikuar nga ajri i ndotur.
“Simptomat e para të paraqitjes së kancerit të ndikuar nga ajri i ndotur mund të ndryshojnë në varësi të llojit të kancerit dhe nivelit e ndotjes së ajrit.
Simptomat e përgjithshme që mund të lidhen me kancerin e ndikuar nga ajri i ndotur mund të jenë:
-Problemet e frymëmarrjes, një ndotje e lartë e ajrit mund të shkaktojë vështirësi në frymëmarrje, ose ndjesi të mungesës së ajrit.
-Irritimi i rrugëve të frymarrjes, ndotja e ajrit mund të shkaktojë irritim në rrugët e frymëmarrjes, duke dërguar në simptoma si kollë e vazhdueshme, dhimbje në gjoks, ose ndjesi të dhimbjes në fyt.
-Probleme te lëkurës, ekspozimi i gjatë ndaj ajrit të ndotur mund të shkaktojë probleme të lëkurës si skuqje, ndezje, ose reaksione alergjike.
-Marramendje dhe lodhje e vazhdushme, ndotja e ajrit mund të shkaktojë simptoma si marramendje e vazhdueshme, lodhje e pashpjegueshme, ose dobësi e vazhdushme.
-Problemet që lidhen me imunitetin, ekspozimi i gjatë ndaj ajrit të ndotur mund të dobësojë sistemin imunitarë dhe të çojë në rritjen e rrezikut të infeksioneve dhe sëmundjeve të tjera.
“Vizita e rregullt mjekësore dhe monitorimi i shëndetit janë të rëndësishme për zbulimin dhe trajtimin e hershëm të çdo problemi shëndetësor”, apelon Raci. /21Media
Përgatiti Gentrita Xhemajli