Zeka: Kosova duhet të tregojë seriozitet për dialogun me SHBA-në

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, kërkon nga qeveria e Kosovës të tregojë seriozitet të plotë në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të ndërmarrë masa konkrete për të përmirësuar klimën e biznesit, përndryshe siç thotë ai, vendi rrezikon të humbasë mundësi strategjike dhe ekonomike.
Në një intervistë për KosovaPress, Zeka vlerëson se vendimet e pakoordinuara dhe vonesat në politikë kanë sjellë tensione të brendshme dhe kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet me aleatët strategjikë. Ai thekson se vetëm një qeveri e përkushtuar dhe serioze mund të avancojë dialogun strategjik dhe të përfitojë nga mundësitë për tregti dhe investime.
“Nëse marrim në konsideratë një mesazh të shkurtër që ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka dhënë pas përfundimit të këtij procesi të fundit zgjedhor dhe gatishmërisë së tyre të shprehur për të bashkëpunuar me qeverinë e re, atëherë besoj që edhe vazhdimi i diskutimeve për heqjen e pezullimit për dialogun strategjik edhe për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve, është një mundësi reale. Megjithatë gjithçka varet edhe nga, serioziteti me të cilin i qaset këtij, kësaj çështjeje ose këtij problemi, meqënëse janë shprehur vërejtje nga ana e përfaqësuesve të qeverisë amerikane muajve të fundit, i drejtohet ose e merr parasysh qeveria e Republikës së Kosovës. Ka shumë gjëra të cilat janë thënë në mënyrë goxha të qartë, janë veprimet e pakoordinuara të qeverisë së Kosovës me aleatët strategjikë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një sërë vendimesh të njëanshme të cilat kanë shkaktuar edhe tensione të brendshme, po natyrisht edhe në raport me këtë aleat strategjik. Edhe siç thashë, gjithçka varet edhe nga serioziteti me të cilin i qaset kësaj çështje qeveria, qeveria e Kosovës në këtë rast”, deklaron Zeka.
Zeka gjithashtu u ndal tek marrëveshjet tregtare dhe tarifat doganore. Ai vlerëson heqjen e tarifave në gusht të vitit të kaluar, derisa thekson se kjo hap mundësi për rritje të shkëmbimeve tregtare dhe për promovimin e produkteve amerikane në Kosovë.