Zelensky i kërkon Bullgarisë të ndihmojë në riparimin e pajisjeve ushtarake ukrainase

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Bullgarisë që të ndihmojë Ukrainën me riparimin e pajisjeve ushtarake të dëmtuara në luftën e vazhdueshme me Rusinë, njoftoi të mërkurën Televizioni Kombëtar i Bullgarisë (BNT).

Ambasadori i Ukrainës në Sofje, Vitaly Moskalenko ka paraqitur një letër nga Zelensky në Parlamentin e Bullgarisë, në të cilën presidenti ukrainas ka deklaruar se autoritetet në Kiev shpresojnë se Bullgaria do të ndihmojë në riparimin e pajisjeve ushtarake ukrainase dhe do të vazhdojë të ndihmojë ukrainasit që ikin nga lufta.

Zelensky ka potencuar se shpreson që Bullgaria të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare, duke përfshirë ilaçe, veshje dhe ushqime.

Në letër, Zelensky ka shkruar se shpreson se bashkëpunimi energjetik midis dy vendeve dhe eksporti i energjisë elektrike dhe gazit nga Ukraina në Bullgari do të vazhdojë, sipas BNT.

Zelensky gjithashtu ka shkruar se shpreson që Bullgaria të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në rrugën e saj drejt integrimit në BE, sipas BNT.

Parlamenti bullgar do të vendosë më vonë të mërkurën nëse do të mbështesë Ukrainën me “pajisje ushtarako-teknike”, sipas BNT.

Rusia ka ndërprerë furnizimin me gaz natyror për Poloninë dhe Bullgarinë javën e kaluar, duke përshkallëzuar në mënyrë dramatike përgjigjen e saj ndaj sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Moskës për luftën në Ukrainë, shkruan CNN./21Media

Back to top button