Zemaj: O ministër i Shëndetësisë, a je gjallë?

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka reaguar pas vendimit të Spitalit të Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, për ndalimin e operacioneve gjatë muajve te verës për shkak të temperaturave të larta, duke thënë se ky vendim është i papranueshëm, i dëmshëm dhe skandaloz.
Në reagim, Zemaj ia bëri disa pyetje ministrit të tanishëm të Shëndetësisë, Arben Vitisë, njofton rtv21.tv.
“O ministër i Shëndetësisë, a je gjallë? A mos ke dhënë prapë dorëheqje? Nëse po, a kthehesh prapë ministër? Nëse jo, a je ministër edhe kur janë temperaturat e larta? A do të jesh ministër edhe kur të jenë temperaturat e ulëta? Ku je ministër i vendimeve që e dëmtojnë shëndetin dhe nuk ofrojnë shërbime për pacientët?”, pyeti Zemaj në Facebook.
Deputeti i LDK-së tha se “një vendim i tillë është për keqardhje për një shoqëri që problemin më të madh e ka mbijetesën, mirëqenien dhe qasjen minimale për shërbime shëndetësore”.
“Hiq më larg se dje, në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale adresuam problemet e shumta, ku njëra ndër to ishte edhe lista e gjatë e pritjes për të marrë shërbimet shëndetësore. E zotimi i pushtetit ishte që do të angazhohen në këtë drejtim, ndërsa nuk vonon shumë Spitali i Gjakovës, që është nën menaxhim të pushtetit merr një vendim krejt të kundërt nga zotimi i udhëheqësve të tyre”, shkroi tutje Zemaj.
“Përgjegjësia politike e ministrit të shëndetësisë është e pakontestueshme”, përfundoi ai. /21Media