Zero buxhet për Ferizajn, komuna rrezikon të mbetet pa projekte

Mos përfshirja e komunës së Ferizajit në buxhetin e projekteve kapitale për vitin e ardhshëm ka shkaktuar reagime të shumta. Një nga projektet që do të mbetet pa u realizuar në mungesë të mjeteve buxhetore është shkolla e fshatit Manastirc”. Por kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, thotë se ndërtimi i shkollës në fshatin Manastirc është vetëm një nga dhjetëra projekte të kësaj komune që vazhdimisht po injorohen nga qeveria e Kosovës.

Komuna e Ferizajt konsiderohet ndër taksapaguesit më të mëdhenj, e cila mbush arkën e shtetit me 20 për qind të të hyrave të përgjithshme. Përkundër kësaj, qeveria e la jashtë buxhetit për investimet e reja kapitale.

Një ndër projektet që nuk mori përkrahjen e qeverisë është edhe ndërtimi i shkollës së re “Dëshmorët e Lirisë”, në fshatin Manastirc të Ferizajit. Ky lajm nuk ju pëlqeu aspak banorëve të këtij fshati, të cilët paralajmëruan masa.

“Shkolla nuk i plotëson as kushtet elementare, nëse nuk ndërtohet na kena me hy në grevë kena me i ndalë fëmijët prej shkollës”, tha një banore e fshatit Manastirc të Ferizajt.

“Shkolla si plotëson as kushtet elementare, kundërmon, terr, punon me dy ndrrime…”, tha një tjetër banore për RTV21.

Mungesa e energjisë elektrike është vetëm një nga problemet e shumta që ballafaqohet shkolla në fshatin Manastirc në Ferizaj. Drejtori i kësaj shkolle flet për nevojën e një objekti të ri shkollor.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se nuk është hera e parë që komuna të cilën ai e udhëheqë ballafaqohet me këto probleme. Aliu thotë se shkolla në fshatin Manastirc është vetëm një ndër projektet e shumta të kësaj komune të cilat po zvarriten që nga viti 2021.

Sipas Institutit GAP, 21.9 milionë euro të ndara nga qeveria për investime të reja kapitale për vitin 2024, të destinuara për komunat, janë ndarë në mënyrë të pabarabartë. Më shumë se gjysma e këtij buxheti prej 13 milionë euro janë ndarë për katër komunat e udhëhequra nga LVV-ja, Gjilani, Kamenica, Podujeva dhe Shtimja./21Media

Back to top button