Zëvendësi i Kouchnerit tregon se Thaçi e kishte dënuar dhunën ndaj pakicave etnike

(Lajm i përditësuar)


Zëvendësi i Kouchnerit tregon se Thaçi e kishte dënuar dhunën ndaj pakicave etnike

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari James Peter Covey ka treguar se Hashim Thaçi e kishte dënuar dhunën e ushtruar ndaj pakicave etnike sidomos gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1999.

Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një dokument i OSBE-së i 28 qershorit të 1999-ës. Sipas avokatit Luka Mishetiq, ky dokument mbante titullin “Lajm për Kosovë: Reagime të brendshme”.

“Mishetiq tha se në dokument thuhej se “në Mitrovicë, udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës, Hashim Thaçi arriti që ta zbuste një konfrontim të mundshëm të dhunshëm ditën e shtunë kur ndaloi qindra persona që të mos kalonin në pjesën e kontrolluar nga serbët në veri. Thaçi e bindi trumën që të tërhiqej. Ai tha se ne do t’i zgjidhim problemet në mënyrë paqësore. Ai ishe i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara”.

Dëshmitari tha se kjo përputhet me atë se çka ka dëgjuar pasi gjëra të tilla ka pasur edhe para se të shkonin ata në Kosovë.

“Gjërat nuk kanë ndryshuar vetëm pse kemi arritur ne aty. Shumë gjëra ne i kemi mësuar me kalimin e kohës. Shpeshherë i kemi mësuar shumë gjëra vite më vonë. Kështu, që kur them që kjo gjë është në përputhje nuk është kjo gjë që e kam ditur në atë moment se kur kam arritur dhe në fakt më impresionon fakti që ato gjëra që ka thënë zoti Thaçi janë nga kjo koha e mëparshme. Kështu që ne nuk mund të themi që është roli ynë që e ka bërë që ai t’i thotë këto gjëra. Është një proces që kishte filluar përpara mbërritjes tonë”, tha dëshmitari Covey.

Mishetiq kur kërkoi pranimin e këtij raporti në prova, tha se duhet të jetë konfidencial pasi që i është kërkuar nga ofruesi i informacionit.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një dokument që ishte artikull gazete i datës 26 korrik 1999, katër ditë pas sulmit në Grackë të Lipjanit.

Mishetiq tha se në këtë artikull thuhet se “Qeveria e Përkohshme e Kosovës dënon vrasjen në Grackë të Lipjanit. Është tentim për pengimin e procesit të stabilizimit”.

Sipas Mishetiq, në këtë artikull thuhet se Qeveria e Përkohshme e Kosovës ka lëshuar deklaratë ku ka thënë se sulmues të paidentifikuar vranë 14 qytetarë të kombësisë serbe në Lipjan.

Si rrjedhojë, avokati tha se ky dokument tregon se nëpërmjet deklaratës, Qeveria e Përkohshme e Kosovës e kishte dënuar këtë krim dhe ishte shprehur ngushëllimet familjeve të të vrarëve.

Dëshmitari Covey tha se kjo deklaratë e Qeverisë së Përkohshme ishte në përputhje me deklaratat e Hashim Thaçit lidhur me këtë rast.

Pas kësaj, dëshmitarit iu prezantua një dokument i 24 korrikut 1999 i cili mban titullin “Thaçi thotë se nuk do të lejojmë që në Kosovë të dominojë anarkia”.

Për këtë, Covey tha se kjo përputhet me atë që i kujtohet se ka thënë Thaçi për mënyrën se si e ka trajtuar dhunën ndaj pakicave etnike.

Ndryshe, dëshmitari tha se nuk ishte e papritur që Agim Çeku dhe Hashim Thaçi të quheshin tradhtarë nga grupet ekstremiste pasi nënshkruan Marrëveshjen e demilitarizimit.


​Covey: UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje, s’ka pasur komandë qendrore

Dëshmitari i katërt i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, Jock Covey derisa foli për UÇK-në tha para Gjykatës Speciale në Hagë se nuk ka pasur komandë qendrore.

Në ditën e parë të dëshmisë së tij në gjykatoren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, ai tha se “UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa ushtri”.

Ai foli për një takim i cili sipas tij ishte mbajtur për t’i bindur komandantët e zonave për marrëveshjen për çarmatim. Aty sipas tij, është vërejtur se marrëdhënia e Thaçit me komandantët e zonave ishte “e ndërlikuar”.

“Dukej sikur po konfirmonte fuqishëm atë që besonim që në fillim lidhur me zotëri Thaçin, kur jemi njohur me të, pra që ai kishte një marrëdhënie të ndërlikuar me komandantët në terren, dhe se ata kishin pak kohë, ose më mirë thënë, kishin shfaqur mungesë respekti ndaj tij, në këtë rast për të cilin po flasim, po të shohim këtë vizatim, më lejoni të kthehem pak prapa. Gjenerali Jackson i cili kishte mospajtim me gjeneralin Clark sa i takon përpjekjeve të rusëve për të marrë aeroportin përpara se KFOR-i të hynte në Kosovë dhe unë, gjenerali Clark dhe gjenerali Jackson, dhe është meritë e tyre kjo, kishim tejkaluar këtë mosmarrëveshje serioze dhe gjenerali Jackson pati nevojë që të sjelltë komandantët e UÇK-së dhe t’i rivendoste, t’i bindte ata që t’i pranonin kushtet e zbatimit të marrëveshjes, konkretisht marrëveshje për krijimin e një force mbrojtëse të Kosovës, si organizatë civile e paarmatosur, KFOR-i ishte afër afatit kohor, dhe i duhej ndihmë për t’i bindur komandantët për përgjigje pozitive”, tha ai.

“Zotëri Thaçi nuk kishte marrëdhënie të rëndësishme me këtë trupë të komandantëve në terren dhe kishte shumë pak gjasa që ata të kërkonin udhëzimet e tij, aq më pak urdhrat e tij, apo që të raportonin aktivitetet e tij te ai”, shtoi dëshmitari.

Duke folur për periudhën e vitit 1999, ai tha se e kishin kuptuar që në UÇK nuk ka pasur komandë qendrore.

“Ashtu siç e kemi kuptuar në atë kohë, nuk ka pasur komandë qendrore. Gjeneral Ceku ishte individi me më ndikim në UÇK, me shumë ndikim se të tjerët, megjithatë nuk duhej të ishte në një pozitë të tillë që të merrte përsipër këtë dhe kishte nevojë të dinte që kishte marrëveshje midis tyre. Gjatë takimit ne mund të shihnim gjeneral Çekun shumë të qetë i cili shikonte prapa për t’u siguruar që komandantët e mbështesnin, që mbështesnin hollësitë e marrëveshjes që po diskutohej. Neve na dhanë përshtypje që Çeku kishte nevojë të sigurohej që kishte konsensus që merrte pra mbështetje nga komandantët në terren. Dhe kjo ishte tërësish në përputhje me atë që kuptonim ne, sepse ne kuptonim që UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa një ushtri ku secili individ në zona apo komandant në terren kishte autonomi të gjerë, qoftë kjo në realitet apo imagjinatën e tyre, por ata kishin këtë autonomi, ata mendonin që mund të bënin atë që vendosnin të bënin në zonën e tyre, që ishin të pavarur”, tha ai.

Jock Covey është dëshmitari i katërt në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai ka shërbyer në Kosovë si zëvendës i përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kushner.

Dëshmia e tij vjen pasi në gjykatore u dëgjuan dëshmia e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ajo e ish-këshilltarit ligjor të ekipit të Kosovës në Rambuje, si dhe dëshmia e ish-diplomatit britanik John Stewart Duncan.


Covey: Thaçi s’ishte shef i Agim Çekut

Dëshmitari James Peter Covey deklaroi në Hagë se Hashim Thaçi nuk ishte shef i Agim Çekut dhe se asnjërin nuk e ka parë duke i dhënë urdhra njëri-tjetrit.

Covey tha se ata silleshin në mënyrë korrekte me njëri-tjetrin e po ashtu edhe me rezerva.

“Absolutisht jo. Sipas asaj që kam parë ata silleshin në mënyrë korrekte me njëri-tjetrin. Nuk më kujtohet nëse kanë shkëmbyer fjalë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Sigurisht që nuk e kam parë asnjëherë njërin që të jepte urdhër ose udhëzime tjetrit. Dukej sikur silleshin me rezerva njëri me tjetrin”, tha ai.

Dëshmitari Covey mohoi se e ka parë ndonjëherë Çekun të jetë udhëzuar me Thaçin lidhur me ndonjë gjë.


Covey: Thaçi me komandantët e zonave kishin marrëdhënie të ndërlikuar

Duke folur për një takim në të cilin Bernard Kouchner kishte udhëtuar për në Kosovë në shtator të 1999-ës që t’i binde komandantët e zonave për përmbushjen e kushteve të demilitarizimit, James Peter Covey tregoi se Hashim Thaçi nuk foli fare dhe se marrëdhënia e tij me komandantët e zonave ishte e ndërlikuar.

“Kjo më kujtohet fare qartë se dukej sikur po konfirmonte fuqishëm atë që ne besonim që në fillim lidhur me zotin Thaçi kur jemi njohur me atë. Pra, që ai kishte një marrëdhënie të vështirë-ndërlikuar me komandantët e UÇK-së në terren dhe se ata kishin pak kohë ose më mirë thënë kishin shfaqur mungesë respekti ndaj tij. S’kishin respekt”, tha dëshmitari.

Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantua një pikturë në një libër që pretendohet se është i shkruar nga gjenerali Mike Jackson. Në këtë pikturë shiheshin pjesëmarrësit e këtij takimi.


Mbrojtja për Jock Covey: Do të tregojë se Thaçi s’ka pasur autoritet mbi UÇK-në

Mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq tha se dëshmitari James Peter Covey i cili ka shërbyer në Kosovës si zëvendës i Bernard Kouchnerit, do të tregojë për rolin që ka pasur Thaçi gjatë asaj kohe.

“James Peter Covey ka shërbyer në Kosovë si zëvendësi kryesor i përfaqësuesit të posaçëm të sekretarit të përgjithshëm, Bernard Kouchner nga periudha 15 korrik 1999 deri në janar 2001. Në këtë rol, zoti Covey ka luajt një rol shumë të rëndësishëm për zbatimin e mandatit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë që njihet ndryshe si UNMIK sipas Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 në Kosovë dhe ka punuar ngushtë me përfaqësues në Kosovë, aktorë të ndryshëm dhe me figura politike në Kosovë duke përfshirë këtu edhe zotin Hashim Thaçin”, tha Mishetiq.

Ai tha se Covey ka dhënë prova lidhur me rolin e Thaçit dhe bashkëpunimin që e ka pasur ai me UNMIK-un në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ai (Covey) ka dhënë prova lidhur me rolin e zotit Thaçi dhe punën që ka bërë ai në bashkëpunim me UNMIK-un për të ndihmuar për stabilizimin e Kosovës duke folur kundër akteve të dhunës, duke bërë thirrje për tolerancë, duke bërë demilitarizimin e UÇK-së dhe duke mbështetur Shërbimin Policor të Kosovës dhe Forcave Mbrojtëse të Kosovës, duke marrë pjesë në përpjekje për të përfshirë pjesëmarrjen lokale në qeverisje përmes Këshillit të Përkohshme të Kosovës dhe Strukturave të Administratës së Përkohshme”, tha avokati.

Përveç kësaj, Mishetiq tha se Covey do të tregojë se Thaçi nuk ka pasur autoritet real mbi UÇK-në.

“Konstatimet e kanë bërë atë që të arrijë në përfundimin që Thaçi nuk ka pasur autoritet real mbi UÇK-në dhe nuk ka qenë në pozicion që të organizojë ose ndalojë dhunën që ka ndodhur gjatë verës së vitit 1999 dhe se roli dhe ambiciet e Thaçit ishin të një politikani që ka treguar që ka qenë i aftë për të punuar me UNMIK-un dhe i aftë për të gjetur kompromis”, tha Mishetiq.


Jock Covey, dëshmitari i katërt në mbrojtje të Thaçit

Jock Covey është dëshmitari i radhës në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Amerikani e ka nisur dëshminë para Dhomave të Specializuara sot, më 30 tetor.

Ai ka shërbyer në Kosovë si zëvendës i përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së, Bernard Kushner.

Dëshmia e tij vjen pasi në gjykatore u dëgjuan dëshmia e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ajo e ish-këshilltarit ligjor të ekipit të Kosovës në Rambuje, si dhe dëshmia e ish-diplomatit britanik John Stewart Duncan.


Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë seancë do të vazhdojë paraqitja e provave, nga dëshmitarët që janë ftuar nga ana e mbrojtjes.

Seanca parashihet të nisë nga ora 09:00.

Këtë javë pritet që në sallën e gjyqit të paraqiten dy dëshmitarë.

Gjatë dy javëve të kaluar kanë dëshmuar tre dëshmitarë të thirrur nga Mbrojtja.

John Duncan ishte dëshmitari i tretë i cili ishte një ish-punonjës i shërbimit diplomatik të Britanisë së Madhe.

Ai dha dëshmi kryesisht në seancë publike.

Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët për krime lufte, Trupi Gjykues më 18 shtator urdhëroi vazhdimin e paraburgimit për Rexhep Selimin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, duke konstatuar se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që të akuzuarit mund të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë vepra penale të tjera.

Trupi Gjykues gjykoi se lirimi i të akuzuarve në posedim të informacionit të ndjeshëm nuk do të ndihmonte mbrojtjen efikase të dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi tashmë ose të atyre që mund të dëshmojnë në procese paralele.

Në rastin e z. Selimi, Trupi Gjykues rikujtoi se duket se z. Selimi nxori informacion konfidencial për palë të treta të paautorizuara, çka përforcoi konstatimin e Trupit Gjykues se ekziston rreziku që z. Selimi të pengojë ecurinë e procesit.

Sipas mendimit të Trupit Gjykues, rreziqet e identifikuara mund të zvogëlohen vetëm përmes kornizës për monitorimin e komunikimeve që zbatohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara.

Trupi Gjykues mbajti parasysh se të akuzuarit gjenden në paraburgim për një kohë të gjatë, por vazhdimin e paraburgimit e gjykoi të arsyeshëm bazuar në faktet se ndaj të akuzuarve janë ngritur akuza për krime të rënda ndërkombëtare, ku pretendohet se ata luajtën rol të rëndësishëm dhe mund të përballen me burgim të gjatë në qoftë se shpallen fajtorë.

Back to top button