Zëvendësministri i Infrastrukturës e pranon se rruga Pejë-Rugovë është e dëmtuar

(Lajm i përditësuar)


Lidhur me videon e publikuar nga deputeti i LDK-së Avdullah Hoti ka reaguar zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili e ka pranuar se gjendja e rrugës është ashtu siç shihet në video.

“Avdullah Hoti e paska postuar një video të gjendjes në rrugën Pejë – Rugovë. E vërtetë është ajo që shihet në atë video. Ne kemi nënshkruar një kontratë për sanimin e asaj rruge me qëllimin që ta rregullojmë rrugën shumë të dëmtuar. Kemi pasur shumë ankesa nga qytetarët se nuk po punohet si duhet dhe ne kemi formuar një komision profesional që ta konstatojë gjendjen. Të gjeturat e këtij komisioni janë se jo vetëm cilësia e punimeve që është jashtë çdo standardi, por se janë bërë pagesa edhe për pozicione që nuk janë punuar fare”, ka shkruar Durmishi në “Facebook”.

Ai më tej ka thënë se është iniciuar procedurë disiplinore ndaj menaxherit të kontratës dhe lënda është dërguar në prokurori për shkak se ka elemente të veprës penale.

“Kemi informata që prokuroria ka filluar menjëherë që të marrë veprime dhe ne po presim rezultatet e hetimit të tyre”, ka thënë ai.


Hoti: Ja si janë harxhuar 8.63 miliardë euro këto tri vjet

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, përmes një postimi në “Facebook” ka treguar se një rrugë në Pejë, siç ka thënë ai, e ndërtuar para disa javësh, është dëmtuar.

Ai ka publikuar disa pamje të kësaj rruge të Pejës që çon në Grykën e Rugovës, duke thënë se puna është kryer, siç u shpreh ai, “shkel e shko”.

Tutje, Hoti u shpreh se me këtë rast është keqpërdorur buxheti dhe paraja publike.

“Jemi në rrugën që çon nga qyteti i Pejës për në Grykën e Rugovës, ndodhem pikërisht tek Manastiri i Pejës. Këto pamje që po i shihni, vërehet asfalti tërësisht i plasaritur dhe çka vërehet tjetër është ngjyra e zezë e asfaltit, që tregon që kjo rrugë është ndërtuar vetëm para disa jave, është ndërtuar me fondet dhe buxhetin e Qeverisë së Kosovës dhe e projektuar, e mbikëqyrur nga Qeveria e Kosovës. Pamjet nuk duan koment shihet se çdo që është kryer vetëm shkel e shko dhe asfalti është dëmtuar në tërësi, që i bie që buxheti dhe paraja publike është keqpërdorur”, ka thënë Hoti.

Back to top button