Zgjedhja e kryetarit Besnik Berisha, Prokuroria Themelore konfirmon se po e shqyrton rastin për vepër penale

Prokuroria Themelore e Prishtinës të hënen e ka konfirmuar se po e shqyrton nëse ka elemente të veprës penale, zgjedhja e kryetarit të ri Besnik Berisha në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).
Këtë për RTV21 e ka konfirmuar Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, i cili ka thënë se janë duke mbledhur informata nëse anëtarët e KPM-së kanë kryer vepër penale të premten kur ndryshuan rregulloren e punës të KPM-së për ta mundësuar zgjedhjen e kryetarit të ri, Besnik Berisha pa i skaduar mandati kryetarit paraprak.
“Jemi në fazën e shqyrtimit. Sepse ne e kemi një prokuror i cili merret me informatat publike që dalin dhe prokurori i njëjtë, i cili është i caktuar prej kryeprokurorit, prej meje në fakt, ai merret, e shqyrton informatën nëse ka elemente të veprës penale apo jo. Njëkohësisht jemi duke e vlerësuar nëse është në kompetencë tonë apo në kompetencën e Prokurorisë Speciale…Vetëm jemi në fazën e mbledhjes së informatave dhe vlerësimit të tyre në aspektin ligjor. Nuk kemi hetim të filluar dhe të shqyrtimit të informatave të cilat kanë dalë në publik”, tha kryeprokurori Gashi.
Në mbledhjen e fundit të KPM-së, tri ditë para se t’i përfundojë mandati kryetarit Jeton Mehmeti, u zgjodh kryetari i ri.
Ndërkaq para se të fillojë mbledhja, juristja e medias, Flutura Kusari reagoi duke thënë se ky proces është i motivuar politikisht dhe po bëhet para se të zgjedhen anëtarët e rinj të KPM-së.
Në atë mbledhje, paraprakisht në rend dite u vendos plotësim-ndryshimi i Rregullores së Punës në nenin 3 “Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarit të KPM-së”, ku u shtua paragrafi 2 me të cilin përcaktohet:
“Përjashtimisht nga paragrafi 1 i këtij neni, zgjedhja e kryetarit, përkatësisht nënkryetarit, mund të bëhet brenda një muaji para skadimit të mandatit të kryetarit, përkatësisht nënkryetarit, veçanërisht për t’u siguruar që KPM nuk mbetet pa kryetar, përkatësisht nënkryetar në raste kur mbetet pa kuorum për zgjedhjen e tyre”.
Gjatë diskutimit, Besnik Berisha, Luljeta Aliu dhe Fitim Aliu, si anëtarë të KPM-së thanë se këtë po e bëjnë në mënyrë që KPM-ja të mos mbetet pa kryesi.
Ndërsa Flutura Kusari, zhvillimet në KPM që rezultuan me zgjedhjen e kryetarit të ri, i quajti “kapje politike”. S
“Kapja politike e KPM-së u kompletua… KPM tash ka kryetar jolegjitim”, kishte shkruar ndër të tjera në reagimin e saj Kusari.
Ndërkohë, kryetari Jeton Mehmeti derisa mbylli mbledhjen e 17 janarit, u deklarua se misioni i tij mori fund aty.
“Nuk ndjej siguri juridike për të vazhduar mbledhjen sepse nuk mund të jemi në sallë dy kryetarë. Misioni im si kryetar merr fund këtu. Nëse thërret mbledhje tjetër, marr pjesë si anëtar. Këtu po e mbylli këtë mbledhje”, tha Mehmeti.
Kryetar i ri u zgjodh Besnik Berisha, i cili ishte propozuar nga Fitim Veliu. /21Media
AMPEK: Kapja politike e KPM-së, rrezik për demokracinë e Kosovës
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?