Zgjedhja e presidentit sfidon partitë politike

Zgjedhja e presidentit të ri pritet të jetë sfidë për partitë politike edhe pas zgjedhjeve të 7 qershorit, nëse mungon gatishmëria për kompromis për të dalë nga ngërçi politik për këtë çështje. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se vendit i duhet një president konsensual, por nuk tregoi nëse është i gatshëm për marrëveshje politike.
“Duhet president konsensual.”, u shpreh Kurti
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në emisionin Click të RTV21, tha se pa marrëveshje politike nuk mund të zgjidhet presidenti i ri. Sipas tij, partitë politike, pas zgjedhjeve të 7 qershorit, duhet të ulen për të diskutuar për një gjë të tillë.
“Presidenti nuk është zgjedhur asnjëherë pa marrëveshje politike, sepse nevojiten 2/3 e votave në Kuvend që të jenë prezentë për t’u zhvilluar raundi i parë dhe i dytë. Prandaj duhet të ketë marrëveshje politike.”, u shpreh Hamza
Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besa Gaxherri, akuzon Kurtin se e dërgoi vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak se nuk kishte gatishmëri për marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit. Sipas saj, Kurti e ka humbur besimin.
“Kurti çdo ditë dhe çdo vit bëhet më i pakuptueshëm, më i pabesueshëm dhe më pak i vërtetë. Kështu që ne nuk mund t’i besojmë asgjëje që thotë Kurti dhe as të shpresojmë në atë që bën ai. Kosova nuk ka kohë për të humbur me lojërat e asnjë subjekti politik. Të gjitha këto subjekte politike duhet të jenë në shërbim të vendit dhe jo në shërbim të egove personale, siç e kemi rastin e LVV-së, që i shërben vetëm një njeriu.”, tha Gaxherri për rtv21
Ndërkohë, kandidatja për deputete nga AAK-ja, Time Kadrijaj, tha se pas zgjedhjeve të 7 qershorit partitë politike duhet të jenë të gatshme për kompromis për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Duhet kompromis dhe është kërkuar kompromis, por zoti Kurti nuk ka pranuar kompromis. Në fund është shpërfaqur se çfarë ka dëshiruar zoti Kurti: ta fusë në garë një kandidat të propozuar nga opozita dhe një kandidat të propozuar nga Kurti, e që me automatizëm do të zgjidhej kandidati i LVV-së.”, tha Kadrijaj.
Mungesa e marrëveshjes politike për të siguruar votat e nevojshme kishte çuar në dështimin e zgjedhjes së presidentit të ri. Rrjedhimisht, Kuvendi ishte shpërndarë për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat do të mbahen më 7 qershor./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?