Zgjedhje të reja apo president i ri?

LVV pa kandidat, PDK kërkon figurë unifikuese

Përkundër ngushtimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, subjektet politike ende nuk kanë gjetur një emër, i cili do të ishte i përshtatshëm për këtë pozitë. Në këtë ecuri kryeministri Kurti tha se zgjedhja e presidentit të ri nuk do të jetë e lehtë, pasi partia e tij nuk i ka votat e mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, ndërkohë që asnjë subjekt nuk përmend kandidatin e saj për president. Deputeti i LVV-së, Driton Hyseni, citoi liderin e subjektit se nuk kanë  emër të përveçëm për këtë pozitë, ndërsa siç tha në këtë garë nuk përjashtohet as presidentja aktuale Vjosa Osmani.

“Deri tash nuk ka emra të përveçëm mund të jetë edhe presidentja Osmani e rëndësishme është që fillimisht të sigurohen numrat të arrihet konsensusi…”, tha Hyseni për RTV21

Për t’i hyrë garës për president, kandidati fillimisht duhet t’i sigurojë 30 nënshkrime nga deputetët e subjekteve politike. Derisa, presidentja aktuale Vjosa Osmani, ka shprehur ambiciet edhe për një mandat të dytë, RTV21, merr vesh se ajo deri më tani nuk ka nisur mbledhjen e 30 nënshkrimeve të deputetëve. Në anën tjetër, shef i grupit parlamentar të PDK-së Arian Tahiri, thonë se për këtë post duhet një figurë unifikuese, që sipas tij, nuk është Vjosa Osmani.

“Jo nuk është figurë unifikuese, edhe pse në këtë fazë nuk isha lëshu në emra të përveçëm sepse deri më tani kemi diskutuar vetëm për parimet që duhet t’i ketë presidenti i ardhshëm pra unifikues dhe me peshë edhe vendore edhe ndërkombëtare…”, tha Tahiri.

Përderisa për postin e të parit të shtetit është përmendur edhe familja Jashari, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, pohon se do ta votonte cilin do anëtar të kësaj familjeje. Por, nga PDK nuk pranuan të deklarohen nëse kanë votë edhe për ish-kryetarin e Skëndarjt, Bekim Jashari.

“Nuk isha lëshu në emra të përveçëm…”, shtoi Tahiri.

Nëse deri më 4 mars nuk ka një president të ri, atëherë vendi përfundon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Mes diskutimeve për zgjedhjen e presidentit të ri, LDK tha se para se të shkojë vendi në zgjedhje duhet të provohet arritja e një marrëveshjeje për presidentin. Analisti politik, Blerim Canaj, thotë se zgjedhja e presidentit apo zgjedhjet e reja janë në dorë të kryeministrit Kurti.

“E gjitha kjo do të varet nga Albin Kurti dhe LVV si partia kryesore dhe më e madhe në Kuvend…”,  tha Canaj.

Njohës të rrethanave politike nuk përjashtojnë kalulimet e partive politike prapa kuintave për shkuarje në zgjedhje të reja./RTV21/21Media

Back to top button