Zgjedhjet e 28 dhjetorit, KQZ akrediton mbi 18 mijë vëzhgues

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar edhe grupin e katërt me mbi 18 mijë vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se nesër pritet edhe akreditimi i grupit të fundit.

“Sot gjithsejtë në grupin e katërt përfshihen 41 organizata me numër total të vëzhguesve që u akredituan 18 mijë e 233. Ka mbetur edhe grupi i fundit, diku janë nëntë organizata që zyra është duke i trajtuar dokumentacionet tona, por besoj që në mbledhjen e radhës që mund të mbahet nesër do të jenë të gatshme edhe rekomandimet e zyrës”, ka thënë ai.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë votuar kundër akreditimit të vëzhguesve të Listës Serbe.

Gjatë shqyrtimit të procedurës së Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Arianit Elshani ka thënë se numërimi i votave me postë duhet të bëhet në bazë të shteteve prej nga votojnë qytetarët e Kosovës.

“Konsideroj që duke qenë një zonë zgjedhore, numërimi i votave me postë duhet të bëhet në bazë të shteteve prej nga votojnë qytetarët e Kosovës dhe jo në bazë të komunave të Kosovës”, ka thënë Elshani.

Por, një gjë e tillë tha se është e pamundur Besnik Buzhala, i cili është drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike.

“Kjo është një çështje që është diskutuar, mbase ka më shumë se 10 ditë që është diskutuar dhe ne kemi marrë një përgjigje prej departamentit, sipas paragrafit 6 neni 18 të rregullores zgjedhore numër 14/ 2024 theksohet se zarfet me fletëvotime që aprovohen gjatë vlerësimit klasifikohen në kuti të votimit sipas komunave të Republikës së Kosovës. Edhe mbi këtë dispozitë ligjore është dizajnuar edhe platforma që ne e përdorim në zgjedhjet lokale dhe që do e përdorim edhe në zgjedhjet e 28 dhjetor. Këtu ne kemi dhënë një opinion që kjo është e pamundur të bëhet për shkak që duhet të bëhen ndryshime në platformë, dhe ndryshimet në platformë në këtë kohë sa kanë mbetur deri në ditën e zgjedhjeve teknikisht nuk mund të bëhet dhe kjo është përgjigje që e kemi marrë prej drejtorit të Departamentit të Teknologjisë Informative Zgjedhore”, u shpreh ai.

Megjithatë, Elshani shtoi se kjo do të ndihmonte që të evidentohen edhe tendencat për manipulim të rezultatit.

“E konsideroj jo shumë më rregull në raport me subjektet politike dhe në raport më KQZ-në. Ato statistika që ndahen në bazë të komunave nuk kanë kurrfarë relevance për ta kuptuar kontekstin e një vendi, në këtë rast Gjermanisë, Holandës, Italisë, apo cilitdo shtet tjetër, njëjtë qysh dallojnë këtu një komunë prej tjetrës, qysh dallon Deçani prej Prishtinës, apo Deçani në raport me Kamenicën në kuptimin edhe të rezultateve zgjedhore, ashtu konsideroj që dallon edhe shteti prej shtetit, varësisht prej politikave dhe ambienteve ku e zhvillojnë jetën diaspora jonë. Mendoj që edhe tjetra është që shumë më e lehtë do të ishte të evidentohet edhe tendencat për manipulim të rezultatit, manipulim të procesit të votimit, me atë se çfarë kemi dyshuar ne gjatë shkurtit, do të ishte shumë më e lehtë të evidentohet, kur i kishe pasur të ndarë të gjitha zarfet në bazë të shteteve”, shtoi Elshani.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi e ka hedhur në votim këtë procedurë ashtu siç ka qenë, meqë tha se sekretariati nuk mund ta bëjë ndryshimet e platformës.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka miratuar edhe planin e konferencave për informimin e publikut mbi ecurinë e procesit të votimit, si për votimin në përfaqësitë diplomatike më 27 dhjetor 2025, ashtu edhe për ditën e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës më 28 dhjetor 2025./kp

Back to top button