Zgjedhjet e 28 dhjetorit, “përbuzje e votës së qytetarëve”

Në prag të fushatës zgjedhore, fjalët ofenduese dhe denigruese të subjekteve politike kundrejt njëri-tjetrit janë kthyer në armën e tyre kryesore për mbledhjen e votave. Ndonëse nuk është hera e parë që termat ofendues përdoren publikisht ndaj nga politikanët, ajo sa vjen e ashpërsohet në prag të zgjedhjeve. Bllokada politike e cila zgjati gjatë tërë vitit, por edhe gjuha denigruese e përdorur nga subjektet politike po shihet si një përbuzje e votës së qytetarëve.

“Por kur këta flasin kështu, çka me ba na qytetarët. A janë në vete ata njerëz, ata janë niveli më i ulët i përfaqësimit qytetar…”, tha një qytetar.

“Po a ka ma keq se çka është tu ndodh…”, tha qytetari tjetër

“Po qysh jena vet janë edhe ata. Boll mirë, le të vazhdon kështu, me ni ven ku nuk shtypet ma gazeta çka po pret…”, u shpreh një qytetar.

Fushata zgjedhore zyrtarisht nis më 17 dhjetor, por partitë politike tashmë kanë nisur aktivitetet e tyre takime me qytetarët dhe adresimet publike. Por, në vend të programeve zgjedhore dhe prezantimit të vizionit të tyre qeverisës, subjektet politike në fokus kanë vendosur sulmet dhe akuzat ndaj njëri tjetrit. Hulumtuesi i IKD-së, Melos Kolshi thotë se gjuha e ashpër e përdorur nga subjektet politike la Kosovën pa institucione për gjatë vitit 2025 dhe se situata e njejtë rrezikon që të përsëritet.

“ Subjektet politike tashmë kanë nisur fushatën e tyre dhe ne nuk kemi parë ndonjë program qeverisës… është shumë e rëndësishme që gjuha që përdoret në fushatë nga subjektet politike por edhe nga deputetët individualisht të jetë e matur sepse kemi parë që si shkak i gjuhës së përdorur janë vendosur edhe vijat e kuqe dhe pastaj u pamundësia edhe formimi i institucioneve”, tha Kolshi për rtv21.

Gjuha armiqësore e përdorur nga subjektet politike është prezente në Kosovë që nga paslufta thotë sociologu Fadil Maloku. Megjithatë, sipas tij, gjuha denigruese u ashpërsua gjatë bllokadës politike duke e futur kështu Kosovën në një krizë të re sociale.

“Shkalla e ashpërsisë është rritur sidomos në ngërçin u krijuar dhe na humbi 1 vit dhe Kosova sot është në një krizë, politike, ekonomike, sociale mos me thanë edhe kulturore dhe kjo krijon një sjellje të re që nuk është standard i shoqërive të emancipuara dhe kjo ndoshta shpjegohet edhe në një aspekt tjetër që ka të bëjë me procesin e tranzicionit…”, u shpreh Maloku.

Veç përplasjeve mes subjekteve politike, ditëve të fundit, në pah është vënë edhe përplasja e LVV-së me media dhe shoqëri civile por edhe me sistemin e drejtësisë. Gjë e cila ndikon dhe ulë besimin e qytetarëve tek këto institucione./RTV21/21Media

Back to top button