Zgjedhjet e 28 dhjetorit, VV prezanton marrëveshjen e koalicionit

Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor.
Kjo parti është në koalicion së bashku me Guxo, Alternativën dhe PSHDK-në.
Në njoftimin e LVV-së në Facebook, thuhet se marrëveshja paraqet një zotim të përbashkët për forcimin e institucioneve, thellimin e demokracisë dhe garantimin e një qeverisjeje që u shërben qytetarëve me transparencë dhe integritet.
“Ky bashkim hap një vizion të përbashkët dhe përcakton prioritetet që do ta udhëheqin vendin në fazën e ardhshme të qeverisjes.
Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe PDSHK janë subjekte politike që, ndër vite, kanë kontribuar në mbrojtjen e interesit publik, në avancimin e barazisë qytetare dhe në ruajtjen e karakterit republikan të shtetit. Secila prej tyre sjell vlera të qëndrueshme politike, përvojë të akumuluar dhe përgjegjësi të dëshmuar në angazhimin e tyre publik.”
Kujtojmë, zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit do të mbahen pas dështimit për formimin e qeverisë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt. Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e shkurtit, por nuk kishte vota të mjaftueshme për formimin e qeverisë.
Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit do të jenë numër dhjetë në historinë e Kosovës së pasluftës. Deri më tash asnjëherë nuk ka ndodhur që pas një palë mbajtje të zgjedhjeve në nivel qendror të mos arrihet të formohen institucionet e reja dhe njëherësh vendi të shkojë sërish në zgjedhje.