Zgjedhjet e 7 qershorit – VV dhe LDK mbledhin Këshillet e Përgjithshme

Lëvizja Vetëvendosje sot nga ora 10:00 do të mbajë mbledhjen e Këshillit të saj të Përgjithshëm.
Ndërkaq, nga ora 12:00 edhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme u caktuan më 7 qershor pasi Kuvendi dështoi të zgjidhte Presidentin e ri të vendit.
Të dyja këto parti pritet të nominojnë për kryeministër krerët e tyre, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku.
Ky i fundit mbrëmë bëri një postim në Facebook ku iu drejtua anëtarësisë së partisë së tij me disa zotime.
“Ju zotohem, do t’i bashkoj të gjithë. Ata që kanë qëndruar gjithmonë. Ata që janë larguar. Ata që kanë heshtur. Ata që ende besojnë. Sepse LDK-ja ka qenë gjithmonë më e madhe se secili prej nesh. LDK-ja ka qenë gjithmonë shtëpia e njerëzve të saj. Dhe koha ka ardhur që kjo shtëpi të bëhet sërish një”, shkroi ai.
Në listën e kësaj partie do të jetë edhe ish-presidentja Vjosa Osmani, e cila sërish hyn në garë për postin e Presidentes.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?