Zgjedhjet lokale “paralizojnë” sportin, rrezikohen garat evropiane

Bllokimi i palestrave sportive nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shkak të organizimit të zgjedhjeve lokale por edhe mbajtja e tubimeve elektorale nga ana e partive politike, ka ngjallur reagime të forta nga federatat sportive dhe institucionet përkatëse.

Klubeve sportive po u pamundësohet zhvillimi i garave kombëtare dhe ndërkombëtare, duke rrezikuar edhe ndëshkime nga federatat evropiane. Drejtues të federatave kryesore sportive në vend kanë bërë të ditur për KosovaPress, se tashmë i janë drejtuar Ministrisë së Sportit dhe Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve dhe shpresojnë që të gjendet një zgjidhje sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Sekretari i Federatës së Hendbollit, Muhamet Arifi ngriti shqetësimin se bllokimi i palestrave nga KQZ po pamundëson zhvillimin e ndeshjeve të parapara, veçanërisht atyre ndërkombëtare, pasi sallat alternative nuk i plotësojnë kushtet minimale.

“Problemi kryesor që ka ndodhur tani është bllokimi i palestrave nga Komisioni Qendrorë. Palestrat kryesore të cilat janë në qendrat si Gjakovë, Pejë, Rahovec, në Prizren nuk e di nëse janë të bllokuara, por në këto qendra tashmë kanë arritur ankesat e para dhe ndeshjet e lajmëruara për t’u zhvilluar më katër dhe pesë tetor të shikojmë mundësin për të bërë ndryshime. Po, duhet ditur se Federata Evropiane e Hendbollit është e rreptë në këto raste dhe nuk mund të kalojmë ma pasoja dhe kushtet të cilat i ofrojnë palestrat tona të tjera të cilat janë në dispozicion në rrethinën e tyre është e pamundur të zhvillohen ndeshjet ndërkombëtare pasi që nuk i plotësojnë kushtet elementare”, theksoi Arifi.

Në telashe serioze për shkak të kësaj situate është futur edhe Federata e Volejbollit. Sekretari i saj, Valon Nikqi thotë se po rrezikohet edhe mbajtja e Kupës Ballkanike, që është paraparë të zhvillohet në Kamenicë.

“Po, është e vërtetë, realisht këto po na shkaktojnë probleme shumë të mëdha, çoftë në përgatitjen e ekipeve sportive, pasi që jemi në kontakt të vazhdueshëm me ekipet dhe i dimë brengat e tyre që partitë politike fatkeqësisht i përdorin objektet sportive për fushata zgjedhore, por në të njëjtën kohë edhe nga KQZ -ja të cilat tashmë kemi informacione prej klubeve që disa nga palestrat sportive janë të rezervuara si qendra numërimi e kështu me radhë. Rasti më konkret është ku klubi i volejbollit ‘Drita’ nga Gjilani është organizatore e Kupës Ballkanike dhe ka rezervuar palestrën në Kamenicë ndërsa pikërisht kjo qendër është qendër e numërimit dhe nga data 1 tetor do të jetë e zënë për aktivitete sportive”, tha ai.

E në Federatën e Basketbollit për ta trajtuar këtë problem bëjnë të ditur se tashmë është thirrur një mbledhje e bordit të kësaj federate.

“Në fillim të javës kemi marrë informata nga disa klube për çështjen e palestrave që do të jenë të zëna për shkak të Zgjedhjeve Lokale, dhe menjëherë kemi komunikuar zyrtarisht me KQZ-në, që zyrtarisht na kanë informuar se cilat palestra do të jenë të zëna dhe kur do të jenë të zëna për Zgjedhjet Lokale. Këto ditë bordi i FBK-së do të mbaj mbledhje për të diskutuar dhe marr vendim për këtë çështje në koordinim të plotë me klubet tona dhe grupet tjera të interesit.”, ka thënë Dushku.

Ministria e Sportit tashmë po e trajton këtë çështje. Shefi ekzekutiv i Agjencisë për Sport, Fidan Shatri, thotë për KosovaPress, se do të kërkojnë nga KQZ që t’i mirëkuptojnë klubet dhe të mos i bllokojnë palestrat sportive për ndeshje ndërkombëtare.

“Kemi marr shkresë zyrtare nga Federata e Hendbollit për problematikën e klubeve të cilat marrin pjesë apo organizojnë ndeshje ndërkombëtare brenda vendit tonë. Të them të drejtën, pak shqetësuese për shkak që klubet nuk është se kanë zgjidhje shumë të mëdha ose palestra të cilat i plotësojnë standardet për të zhvillua ndeshje, sidomos ndërkombëtare, por përgjegjësia dhe menaxhimi i palestrave, siç e dimë, është nën menaxhimin e komunave përkatëse ku klubet janë pjesë e atyre komunave. Unë shpresoj që edhe komunat, pasi që Federata e Hendbollit është në komunikim, iu ka drejtuar edhe komunave që të komunikojnë edhe me KQZ-në për shkak se ndjeshmëria është shumë e madhe sepse mos zhvillimi i ndeshjeve ka shumë pasoja, përtej rezultatit sportiv, ka edhe shumë pasoja të ndëshkimeve të cilat janë të rregulluara me aktet e federatave ndërkombëtare…Rruga jonë është që të iu drejtohemi dhe të komunikojmë me KQZ-n dhe të iu kërkojmë që të ketë konsideratë pasi që po flasim për javën e ardhshme, dy ndeshjet të cilat zhvillohen dhe të kenë konsideratë që datat të cilat janë përcaktuar shumë më herët për zhvillim të aktiviteteve ndërkombëtare brenda vendit tonë që të mos bllokohet salla dhe të shtyhet përgatitjet për zgjedhje për dy apo tri ditë”, bëri të ditur Shatri.

E zëdhënësi i Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve, Valmir Elezi sqaroi se përdorimi i palestrave si qendra numërimi është i përcaktuar me ligj dhe se KQZ vepron në bazë të detyrimeve ligjore, duke theksuar se mirëkupton federatat sportive, por nuk mund të shmangë këtë proces.

“Së pari, themelimi i Qendrave Komunale të Numërimit është një detyrim ligjor për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi shërbejnë për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe për anëtarë të Kuvendeve Komunale. Së dyti, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, këto qendra duhet të caktohen në salla me përmasa të mëdha ose palestra sportive. Duke u mbështetur në këtë përcaktim të ligjit, KQZ ka vendosur një numër kriteresh teknike që duhet të plotësohen për caktimin e një qendre të tillë, siç janë: kapacitetet dhe hapësirë e mjaftueshme; energji elektrike; parking; infrastrukturë hidrosanitare, e të tjera. Ne e kuptojmë shqetësimin e federatave sportive, por zbatimi i ligjit është i domosdoshëm dhe për KQZ-në, është e pamundur t’i kryejë në ambiente tjera këto procese të rëndësishme, siç janë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe për anëtarë të Kuvendeve Komunale”, ka thënë Elezi.

Zgjidhja pritet të vijë përmes dialogut dhe koordinimit mes institucioneve, në mënyrë që të shmangen pasojat për klubet dhe sportin kosovar./kp

Back to top button