Zgjedhjet lokale, pas pushimeve verore

Në lojë janë shtatori, tetori, nëntori

Zgjedhjet lokale në Maqedoni më herët mund të mbajnë në muajin shtator. Lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev, për TV21 deklaroi se pas formimit të qeverisë së re partitë politike, duhet të merren vesh për një datë për organizimin e zgjedhjeve lokale, sepse komunat e ndjenjë trysninë e krizës politike të stërzgajtur. Zaev thotë se duhet të ndryshohet neni 12 i Kodit zgjedhor, ku në vend të majit, do të vendoset një muaj tjetër, për të cilin do të merren vesh partitë politike.

“12 vite jam kryetar komune. Isha deri më 30 dhjetor. E di se sa çështje serioze është pushteti lokal. Ai prek në përditshmërinë e qytetarë, përmes shkollave, çerdheve, urbanizmit, ndërmarrjeve komunale. Prek në çdo familje, deri te çdo qytetar, andaj duhet të organizojmë zgjedhje lokale të rregullta”, u shpreh Zoran Zaev, Kryetar i LSDM.

Pas kalimit të afatit për shpalljen e zgjedhjeve lokale, disa ministri dhe Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale dorëzuan nisma deri te Gjykata Kushtetuese me kërkesë për t’u vlerësuar kushtetutshmëria e disa neneve të Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe të Kodit zgjedhor. Nga Gjykata Kushtetuese konfirmuan se kërkesa do të shqyrtohet në seancën e ardhshme, më 10 maj.

Por, profesoresha universitare Gordana Siljanovska thotë se menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, kryesuesi kishte për obligim t’i shpallte zgjedhjet lokale, si detyrë e parë e deputetëve, shkruan tv21.tv.

“Mos shpallja e zgjedhjeve paraqet shkelje të Kushtetutës dhe të ligjeve, por edhe të të drejtës sonë për vetëqeverisje lokale. Me këtë, vendi mund të hyjë jo vetëm në krizë politike, por edhe në krizë në nivel lokal”, tha Gordana Siljanovska, profesoreshë për sistem Politiko-Kushtetues dhe Politik.

Sipas ligjit, mandati i autoriteteve lokale skadon më 15 maj, pas çka, Maqedonia do të mbetet pa vetëqeverisje lokale. Afati i fundit për shpalljen e zgjedhjeve lokale në Kuvend, skadoi më 6 mars si pasojë e krizës politike, gjë që hapi shumë pikëpyetje se si të gjendet zgjidhje, që nuk do të ishte në ngarkesë të qytetarëve./21Media

Back to top button