Zgjedhjet në veri, DnV: S’garantojnë legjitimitet politik

“Demokracia në Veprim” përmes ekipeve mobile ka vëzhguar sot procesin zgjedhor në katër komunat veriore të vendit – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Demokracia në Veprim, i ka quajtur të improvizuara zgjedhjet që janë mbajtur të dielën në katër komunat në veri të Kosovës.

”Vëzhguesit tanë kanë vizituar pothuajse të gjitha qendrat e votimit të hapura në këtë pjesë. Refuzimi i subjekteve politike nga komuniteti serb për të marrë pjesë në zgjedhje, si dhe tërheqja e kandidaturave pas certifikimit nga KQZ, ka rezultuar me bojkotim të zgjedhjeve nga ana e votuesve të komunitetit serb në këtë pjesë. Në këtë drejtim, rol kanë luajtur edhe thirrjet dhe kërkesat e vazhdueshme të Listës Serbe për mospjesëmarrje në zgjedhje të votuesve serb. Sa i përket administrimit të zgjedhjeve, është vërejtur një improvizim i procesit zgjedhor, duke nisur nga zhvillimi i zgjedhjeve në kontejnerë, që kanë zëvendësuar rreth 70% të qendrave të zakonshme të votimit. Qendrat e improvizuara të votimit kanë qenë të vendosura përgjatë rrugëve magjistrale, larg zonave të banuara, duke qenë kësisoj vështirë të arritshme nga votuesit potencial. Gjithashtu, shumica e vendvotimeve kanë qenë të fuzionuara në qendra alternative të votimit, ku numri i votuesve të regjistruar për qendër ka arritur deri në rreth 6 mijë sosh”, thuhet në reagimine DnV-së.

DnV tutje ka shtuar se siguria e procesit zgjedhor është garantuar nga Policia e Kosovës, e cila ka pasur prezencë në afërsi të të gjitha qendrave të votimit. Si rrjedhojë, procesi zgjedhor është përmbyllur pa asnjë incident apo kërcënim të integritetit të procesit zgjedhor.

Përveç nga DnV-ja, procesi zgjedhor në secilën qendër të votimit është vëzhguar edhe nga vëzhgues të dy organizatave jo-qeveritare lokale që veprojnë në veri të vendit.

Përderisa në zonat e banuara nga komuniteti serb ka pasur bojkotim pothuajse të plotë të zgjedhjeve, në zonat e banuara nga komuniteti shqiptar, është evidentuar një trend më i lartë i daljes në votime.

”Në këtë mënyrë, ndonëse zgjedhjet plotësuan kriteret minimale ligjore, ato nuk garantojnë legjitimitet politik e përfaqësues të institucioneve që do të prodhohen nga to”, thuhet në fund të reagimit t1% DnV-së./21Media

Back to top button