Zgjedhjet do t’i monitorojnë 100 vëzhgues nga BE-ja

16 vëzhgues afatgjatë janë dërguar nëpër Kosovë për të mbuluar komuna të ndryshme, pastaj atyre do t’u bashkohen edhe 32 vëzhgues afatshkurtër

Shefi i Misionit te Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Kosovë nga Bashkimi Evropian, Alojz Peterle në një konferencë për medie sot në Prishtinë prezantoi Misionin për Vëzhgim të Zgjedhjeve nga BE.

Misioni udhëhiqet nga shefi i misionit, Alojz Peterle, anëtër i Parlamentit Evropian nga Sllovenia dhe do të përbëhet nga rreth 100 vëzhgues nga shtetet të ndryshme anëtare të BE-së, bashkë me Norvegjinë dhe Zvicrën. Një ekip bazë i përbërë nga tetë analistë është i vendosur në Prishtinë nga data 19 maj, ekip i cili mbulon çështjet zgjedhore, ligjore dhe mediale.

Peterle tha se kjo reflekton përkushtimin e vazhdueshëm të BE-së ndaj procesit demokratik në Kosovë dhe dëshirën për të parë përmirësim të vazhdueshëm në përmbushjen e të drejtave demokratike e të gjithë atyre të cilët do të votojnë në Kosovë. Sipas tij, qëllimi i tyre nuk është të bëhen policë në këtë proces, por të jenë vetëm si vëzhgues të pa anshëm.

Mesazhi i tij është i njëjtë me atë të përfaqësuesve tjerë evropianë në Kosovë, përfshirë përfaqësuesen e lartë, Nataliya Apostolova, e cila ka bërë thirrje të gjithë individëve përgjegjës, kandidatëve dhe drejtuesve të ardhshëm të subjekteve politike që të përmbahen nga gjuha denigruese dhe të refuzojnë të gjitha format e presionit që mund të dëmtojnë integritetin e procesit zgjedhor.

Një grup prej 16 vëzhguesish afatgjatë janë dërguar nëpër Kosovë më 27 maj për të mbuluar komuna të ndryshme. Me afrimin e ditës së zgjedhjeve, atyre do t’u bashkohen edhe 32 vëzhgues afatshkurtër. Ndërsa, në ditën e zgjedhjeve misionit do t’i bashkohen edhe delegacioni nga Parlamenti Evropian dhe vëzhguesit afatshkurtër të rekrutuar individualisht nga përfaqësuesit diplomatikë të shteteve anëtare të BE-së.

Misioni do të publikojë të gjeturat në deklaratë preliminare brenda 48 orësh pas ditës së zgjedhjeve, dhe një raport final, i cili përfshinë rekomandimet për zgjedhjet në të ardhmen, do të publikohet përafërsisht dy deri tre muaj më vonë./21Media

Back to top button