Zgjidhje, zgjedhje apo bllokadë për presidentin?

Ndonëse kryeministri Kurti këtë javë e kishte cilësuar si javë të takimeve me liderët e partive politike për çështjen e presidentit, përveç takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, të zhvilluar ditën e hënë, takime të tjera nuk pritet të ketë. LVV-ja dhe PDK-ja nuk kanë konfirmuar nëse do të zhvillohet apo kur do të zhvillohet takimi Kurti–Hamza.

Ish-kryeministri, Isa Mustafa, tha se nëse partitë janë të interesuara të gjejnë zgjidhje, duhet të merren vesh për një personalitet pa interesa politike. Ndryshe, siç vlerëson Mustafa, partitë duhet të deklarohen edhe për zgjedhje.

“Në qoftë se dëshirojmë zgjidhje, ose në qoftë se jemi të gatshëm edhe si pozitë edhe si opozitë ta bëjmë presidentin, atëherë duhet të ketë hapësirë për marrëveshje. Domethënë duhet të ulen pozita dhe opozita, të merren vesh bashkërisht për një personalitet, mos ta thjeshtojmë, për një personalitet i cili do ta kryente këtë punë pa anime politike. Nëse partitë politike mendojnë se kanë interes të hyjnë edhe një herë në zgjedhje, ose partia në pushtet të rritet më shumë, ose opozita të shfrytëzojë këtë rast dhe të ndryshojë numrat, atëherë do të hyjmë në zgjedhje. Nuk shoh ndryshime të mëdha, por s’mund të flas tash për disponimin politik të partive politike.”, tha Mustafa.

Analisti politik Lutfi Bilalli beson se negociatat midis partive politike mund të sjellin përparim në arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit. Ndonëse midis liderëve të partive ka pak përafrim të qëndrimeve për një gjë të tillë, Bilalli thotë se duhet ta kenë parasysh edhe interesin e qytetarëve të cilëve po u rëndohet jetesa dita ditës.

“Nga bisedimet VV–LDK, kontaktet që kishte Kurti me Abdixhikun linin arsye të kuptojmë se shumë shpejt do të ketë një zgjidhje. Mendoj se një konsensus i përgjithshëm duhet të arrihet, edhe pse kemi hyrë në një fazë që kjo të jetë temë e pakuptueshme për opinionin. Duhet të arrihet pajtueshmëri për interesat e qytetarëve.”, tha Bilalli.

Ndërkohë, analisti Blerim Canaj vlerëson se mungesa e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit të ri është rezultat i mosbesimit që kanë partitë politike, sidomos liderët e partive opozitare ndaj Kurtit. Sipas tij, zvarritja për gjetjen e një zgjidhjeje është humbje kohe, pasi askush nga partitë politike nuk i ka 80 vota për zgjedhjen e presidentit dhe përgjegjësia, siç tha ai, i takon LVV-së.

“Ajo që po duket si polarizim, nga njëra anë është përpjekje për të hequr përgjegjësinë, në anën tjetër frikë dhe mosbesim në raport me zotin Kurti për shkak të asaj që ka ndodhur viteve të fundit. Të gjithë e dimë se jemi në një situatë ku për zgjedhjen e presidentit duhen 80 vota, të cilat nuk i ka asnjë parti. Për këtë kërkohen marrëveshje dhe kompromis përtej asaj se kush ka më pak apo më shumë. Gjithçka tanimë është në dorën e LVV-së si fuqia më e madhe politike në vend.”, tha Canaj.

Në mungesë të një marrëveshjeje politike janë shtuar zërat se e vetmja zgjidhje për tejkalimin e krizës për zgjedhjen e presidentit janë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Analistër Lutfi Bilalli dhe Blerim Canaj kanë këndëveshtrrime të ndryshme nëse zgjedhjet janë zgjidhje.

“Më duket që bëhet me qëllim. Shkuarja në zgjedhje nuk besoj se do të arrinte ta zgjidhte problemin e arritjes së 80 deputetëve për zgjedhjen e presidentit. Mund të ketë kriza të përsëritura.”, deklaroi Bilalli.

“Nëse LVV-ja e ka disponimin të pranojë negociatat me partitë e tjera dhe të pranojë një kandidat që i krijon balancat, atëherë ne do ta kemi çështjen e presidentit të zgjidhur. Në të kundërtën, mund të kemi fare lehtë zgjedhje dhe ato vijnë si pasojë e mosgatishmërisë së zotit Kurti që të ulet me partitë e tjera për të kërkuar sinqerisht një zgjidhje. Varet edhe nga guximi i partive politike për të bërë kompromis me Kurtin dhe për të rindërtuar urat e besimit. Por, nuk duhet asgjë më shumë sesa të kemi zgjedhje.”, deklaroi Canaj.

LVV-ja ende nuk ka hequr dorë nga dy kandidaturat e saj për president, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku. Ndërsa partitë opozitare kanë deklaruar se nuk kanë votë për asnjë kandidat partiak./RTV21/21Media

Back to top button