“Zgjoi” në kinematë gjermane
Filmi me skenar e regji të Blerta Bashollit, “Zgjoi” ka filluar rrugëtimin e tij në kinematë gjermane. Kështu sot ka bërë të ditur aktorja Yllka Gashi, e cila ka informuar se nga data 8 shtator filmi do të mund të shihet në shumë kinema, në qytete të ndryshme në Gjermani.
“Gjatë këtyre ditëve në disa nga shfaqjet e filmit do të jenë prezente autorja e filmit Blerta Basholli dhe znj. Fahrije Hoti – inspirimi i filmit “Zgjoi”.”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Në rolin kryesor të filmit “Zgjoi” luan aktorja Yllka Gashi, e që filmi konsiderohet si filmi më i sukseshëm i kinematografisë shqiptare deri sot, fitues i trefishtë në “Sundance 2021” dhe fitues i shumë çmimeve të tjera ndërkombëtare, gjithashtu propozim i Kosovës për “Oscars 2022”.
“Zgjoi” sjell historinë e vërtetë të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal, ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
“Zgjoi” ka për producent Yll Ukën, Valon Bajgorën dhe Agon Ukën; drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n.
Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë: Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj. “Zgjoi” është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut./21Media
|m1\-w|m3ga|m5