Zhitia: S’e kam pas fatin t’i takoj anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë luftës

Dëshmitari i ZPS-së në Hagë, Skënder Zhitia ka thënë se nuk e ka pasur fatin që gjatë luftës t’i takojë ndonjërin nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Këtë deklarim dëshmitari e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit, përmes avokates, Sophie Menegon.

“Gjatë luftës nuk e kam pasur fatin ta takoj asnjërin nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm”.

Dëshmitari tha se edhe në libër e kishte potencuar se ky libër përfaqëson vetëm opinionin e tij sa i takon ngjarjeve në Zonën Operative të Llapit dhe se ky opinion nuk është fjalë përfundimtare.

Përpara se të filloi pyetjet avokatja Menegon, në pyetje dëshmitarin e mori prokurorja Silvia D’Ascoli e cila u fokusua tek libri i dëshmitarit ku kishte përshkruar vizitën e përfaqësuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së më 18-20 gusht 1998.

Në libër, dëshmitari kishte thënë se delegacioni ishte në përbërje me Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe Bislim Zyrapin si dhe ata u priten nga Komandant Remi i shoqëruar nga Fatmir Humolli, Hyzri Talla, Latfi Gashi, Kadri Kastrti, Nuredin Ibishi dhe Sabri Kiçmari.

“Është e rëndësishme me e potencu që në Zonën Operative të Llapit për këtë e kam quajt që u bë zyrtarizmi për faktin se më 18 korrik, komandanti Rrustem Mustafa veç i kishte emëruar këto struktura, këto personalitete në pozita më përgjegjësi. Më 18 korrik këto personalitete ishin emëruar, kështu gjatë vizitës vetëm u zyrtarizuan. Komandant Remi e njoftoi delegacionin e Shtabit të Përgjithshëm me vendimet të cilat i kishte marrë paraprakisht. Kështu që kjo vizitë pavarësisht që unë e kam quajtur si zyrtarizmi dhe zyrtare, të gjitha ato emërime që i kishte bërë më herët komandanti Rrustem Mustafa këto i miratuan ose u miratuan nga ky delegacion dhe sigurisht e kam potencu edhe vendimet që janë marrë. Unë në referencë i kam pas intervistat që i kam bërë me komandant por edhe literaturë tjetër që e kam shfrytëzu në atë kohë e që kanë qenë si referencë”, tha dëshmitari tutje.

Dëshmitari tregoi se edhe ku i ka mbështetur të dhënat e vendosura në librin e tij.

“Shënimet i kam mbështetur në të dhënat që i kam marrë nga drejtuesit e Zonës Operative të Llapit”./betimipërdrejtësi

Back to top button