Dy fëmijë vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërsa 13 në spital

Dy fëmijë vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërsa 13 në spital

15 fëmijë kanë vdekur në Haiti pasi një zjarr ka përfshirë një jetimore në periferi të kryeqytetit.

Shkaku i zjarrit është ende duke u hetuar, por nga deklaratat e punonjësve dhe fëmijëve dyshohet se janë bërë shkak qirinjtë që përdoreshin për të ndriçuar në mungesë të energjisë elektrike.

Jetimorja e drejtuar nga një grup i krishterë me qendër në SHBA, ishte një nga qindra jetimore që veprojnë pa autorizim zyrtar të organeve shtetërore.

Autoritetet tani po punojnë për të mbështetur dhe dërguar në jetimore të tjera fëmijët e mbijetuar.

Arielle Jeanty Villedrouin, drejtore e Institutit për Mirëqenie Sociale tha se rreth 60 fëmijë ndodheshin në ndërtesë në momentin e shpërthimit të zjarrit.

Zyrtarët njoftuan se dy fëmijë vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërsa 13 të tjerë në spital si rezultat i thithjes së tymit.

Raportohet se stafi i kishte ndezur qirinjtë në natën tragjike pasi gjeneratori i jetimores ishte prishur.

Rreth 30 mijë fëmijë jetojnë në më shumë se 760 jetimore në Haiti. Vetëm 30 për qind e tyre janë të licencuara. Rreth 80% e fëmijëve që jetojnë në jetimoret e Haitit kanë të paktën një prind gjallë.