Zjarr në një shtëpi në Prizren, lëndohen dy persona
Dy persona mbetur të lënduar si pasojë e një përfshirjes së një shtëpie nga zjarri në Prizren.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi i cili ka thënë se zjarri kishte përfshirë katin e parë të shtëpisë.
”Me datën 05.01.2026, rreth orës 17:35, Policia është njoftuar se në Rr. Enver Hadri, Prizren, kishte rënë zjarr në një shtëpi banimi. Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendngjarje, ku ka kontaktuar me ankuesin, i cili ka deklaruar se, në rrethana ende të panjohura, kishte shpërthyer zjarr në katin e parë të shtëpisë së banimit. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Zjarrfikësve, të cilët kanë lokalizuar dhe fikur zjarrin. Po ashtu, në vendngjarje kanë dalë njësiti i KEDS-it si dhe njësiti i urgjencës mjekësore, të cilët u kanë ofruar ndihmë mjekësore dy viktimave, të cilat janë asfiksuar nga tymi. Sipas ekipit mjekësor, gjendja shëndetësore e të lënduarve është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë”, tha Bytyqi.
Ai theksoi se bazuar në deklaratën e viktimës, dëmi material i shkaktuar nga zjarri ende nuk është i vlerësuar.
”Në vendngjarje kanë dalë gjithashtu hetuesi kujdestar dhe njësiti i forenzikës. Lidhur me rastin është kontaktuar dhe njoftuar prokurori i shtetit, me urdhër të të cilit inicohet rasti. Rasti mbetet nën hetime”, ka thënë Bytyqi për rtv21.tv/21Media