Zjarret vdekjeprurëse përhapen në Mesdhe

Mijëra zjarrfikës po vazhdojnë të luftojnë zjarret në Portugali, Spanjë dhe Francë, pasi vala e të nxehtit nuk tregon shenja lehtësimi.
Në Portugalinë veriore, një pilot vdiq kur avioni i tij me ujë u rrëzua në zonën Foz Coa, pranë kufirit spanjoll.
Autoritetet portugeze thonë se të paktën 238 persona kanë vdekur nga të nxehtit gjatë javës së kaluar, transmeton rtv21.tv.
Zjarret po shkatërrojnë zonat e rajonit jugperëndimor të Francës Gironde, ku mbi 12,000 njerëz janë evakuuar.
Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.
Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1 gradë Celsius që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha në emetimet e karbonit.
Shërbimi francez i motit ka parashikuar temperatura deri në 41 gradë në pjesë të jugut të vendit të dielën dhe të hënën parashikohen rekorde të reja të të nxehtit.
Ndërkohë në Alpe alpinistëve u kërkohet të shtyjnë udhëtimet e tyre në Mont Blanc për shkak të rrezikut të rënies së shkëmbinjve të shkaktuar nga “kushtet e jashtëzakonshme klimatike”.
Pjesë të tjera të Mesdheut janë prekur gjithashtu. Në Itali , qeveria ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në luginën e tharë Po – lumi më i gjatë i vendit nuk është më shumë se një rrjedhë në disa vende.
Në Greqi, zjarrfikësit po merren me flakët në zonën e Ferizës, rreth 50 km në jug-lindje të Athinës dhe pranë Rethymno, në bregun verior të Kretës. Shtatë fshatra janë evakuuar pranë Rethymnos./21Media

Back to top button