ZPS i quan kriminelë Gucatin e Haradinajn, kërkon të shpallen fajtorë

Prokurori Matthew Holing nga Zyra e Prokurorit Special (ZPS) të hënën në deklaratën  përmbyllëse ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK),  që Hysni Gucati e Nasim Haradinaj të shpallen fajtor për të gjitha akuzat me të cilat janë ngarkuar.
Ndryshe, Gucati e Haradinaj po akuzohen për vepra penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Metthew Holing ka thënë se Gucati e Haradinaj i kanë bërë krimet në mënyrë të hapur përmes video-incizimeve me anë të së cilave donin të pengonin procedurat, të frikësonin dhe të hakmerreshin kundër atyre që kishin bashkëpunuar me DhSK, gjë që siç tha ai edhe ka ndodhur.
“Ata donin të pengonin procedurat, donin të dhunonin sekretin e procedurave dhe donin të frikësonin dhe të hakmerreshin kundër atyre që kanë bashkëpunuar me këtë gjykatë dhe kjo ka ndodhur dhe ZPS e ka provuar këtë lidhur me çdo element të të gjitha pikave të aktakuzës, dosjet  e palës mbrojtëse nuk dëshmojnë asgjë tjetër, ato nuk dëshmojnë dhe nuk mund ta dëshmojnë”, tha prokurori.
Ai ka thënë se është e qartë se të akuzuarit besojnë që hetimi i duhur i luftës së Kosovës do të qonte në përgjymtimin vetëm të keqbërësve serb por siç tha ai, jo edhe të UÇK-së.
Kur të akuzuarit akuzojnë ZPS që ajo po ushtron drejtësi selektive apo përzgjedhëse, sipas prokurorit ata në fakt nënkuptojnë që ky trup gjykues nuk është duke mbështetur drejtësinë e tyre përzgjedhëse.
Tutje, prokurori ka thënë se ZPS nuk ka kërkuar dënime alternative për të akuzuarit por se ka kërkuar vendime fajësie përmbledhëse në përputhje me elementet e materialitetit.
Të martën pritet të vazhdohet me dhënien e deklaratës përmbyllëse nga mbrojtja.
ZPS thotë se Gucati dhe Haradinaj janë kriminel
(Përditësuar, ora 16:55)-Prokurorja e ZPS-së, Valeria Bolicci  gjatë dhënies së deklaratës përmbyllëse në gjykimin ndaj Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ka thënë se të njëjtit janë fajtor dhe nuk janë mbi ligjin.
“Ne megjithatë do të themi se të akuzuarit nuk janë mbi ligjin. Veprimet e tyre të përsëritura dhe të qëllimshme e kanë shkelur Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe nuk justifikohen nga dispozita të tjera penale. Të akuzuarit janë kriminel”, tha ajo.
Ajo ka thënë se është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm se të akuzuarit janë fajtorë për veprat penale që u vihen në barrë.
Sipas prokurores Bolicci, përmes veprimeve të tyre gjatë shtrirjes kohore të akuzave, të akuzuarit zbuluan identitetin dhe të dhënat personale të qindra dëshmitarëve të klasifikuar dhe të mbrojtur si konfidencial nga ZPS.
“I akuzuari në konferencën e ditës së parë të shtypit nuk mund të ishte me i qartë kur ka thënë se i ka ditur emrat e të gjithë dëshmitarëve të mbrojtur, dhe më pas u referoj këtyre të dhënat sekrete lidhur me këta dëshmitarë, dhe fakti që materialet përmbajnë pikërisht dëshmitë e këtyre dëshmitarëve të mbrojtur. Përveç kësaj hetuesi i ZPS tha që grupi i 3 kishte referencën ndaj 150 dëshmitarëve të ZPS, grupi një dhe dy kishin po kështu informacion të njëjtë të qindra dëshmitarëve”, tha ajo.
Siç tha prokurorja Bolicci, Gucati dhe Haradinaj nuk e kishin fshehur kërkesën e vazhdueshme ndaj shtypit që të njëjtit të publikonin këto dokumente konfidenciale sa më shumë që ishte  e mundur, duke përfshirë edhe emrat e dëshmitarëve.
“Hysni Gucati e kujtoj se kishte botuar emrat e të ashtuquajturve veteranë të rremë dhe tha në të njëjtën mënyrë që emrat e dokumentacionit duheshin publikuar duke thënë që ata janë shqiptarë, 80% e atyre që kanë dhënë dëshmi ishin shqiptarë. Gjatë debatit të zjarrtë Haradinaj u tërhoqi vërejtjen gazetarëve që nuk kishin publikuar materiale konfidenciale aq sa duhet, aj tha se donte që mediat të publikonin aq sa kishin guximin ta bënin”, tha ajo.
Pas publikimit të dokumenteve sipas prokurores Bolicci, ZPS-së i është dashur të ndërmarrë masa të shumta sigurie për 20-30 dëshmitarë si dhe nxjerrjen e personave jashtë vendit pasi që të njëjtit ishin të frikësuar.
E me këto veprime të akuzuarve, prokurorja Bolicci tha se disa dëshmitarë ishin ç ‘inkurajuar për të bashkëpunuar me ZPS-në.
Gjithashtu prokurorja Bolicci ka thënë se përmes provave është vërtetuar se të akuzuarit kanë përdorur kërcënime të rënda për të frikësuar personat e mbrojtur ose për të dhënë deklarata të rreme për ZPS, dhe atë përmes mesazheve mediatike drejtuar të gjithë atyre që ishin duke ndërvepruar me ZPS.
Siç tha ajo, të njëjtit kishin qenë në njohuri se ishin duke i nxitur këta dëshmitarë që të mos jepnin informacione të sakta për ZPS apo të tërhiqeshin.
“Provat tregojnë që të akuzuarit jo vetëm që ju ka thënë dëshmitarëve që identiteti i tyre ishte i njohur por në të njëjtën kohë që deklaroheshin se të dhënat e tyre do të bëheshin publik. Haradinaj dhe Gucati kanë akuzuar dëshmitarët se janë spiunë, tradhtarë, kolaboracionistë, kriminel, thithës gjaku dhe folës shqiptarë. Në momente të ndryshme gjatë këtij procesi të akuzuarit janë munduar që të ulin kuptimin e fjalëve të tilla, megjithatë fuqia kërcënuese e fjalëve të tyre dhe interpretimi i kuptimit të tyre shpjegohet në shumë momente të rëndësishme nga vet të akuzuarit”, tha ajo.
Prokurorja Bolicci ka shtuar se të akuzuarit e dinin që nxjerra e emrave të dëshmitarëve do të dëmtonte dhe cenonte ata dhe pavarësisht saj ata i kanë nxjerrë këta emra dhe se sipas ZPS përfundimi i vetëm i arsyeshëm është  se ata synonin që të shkaktonin pasoja të rënda për të gjitha  veprimet e prodhuara.
Gjatë këtij procesi gjyqësor sipas prokurores Bolicci u bë e qartë që përmes veprimeve të tyre të akuzuarit jo vetëm që dëshironin të shkurajonin dëshmitarët që të jepnin prova për DHSK dhe ZPS por se gjithashtu dëshironin që të ndëshkonin të gjithë ata të cilët kishin bashkëpunuar dhe kishin dhënë një deklaratë për të.
“Në një postim në “Facebook” më 4 korrik 2020 Gucati përshkruan procesin gjyqësor në këtë gjykatë si një betejë në mes tradhtarëve të Kosovës, spiunëve të Serbisë që duan të bashkëpunojnë me gjykatën dhe mbështetësve të UÇK dhe ai paralajmëroj se në këtë betejë njerëzve vetë do tu përmendeshin emrat dhe do të turpëroheshin”, tha ajo
Veprimet  e të akuzuarve nga 7 deri më 25 shtator 2020 sipas Boliccit, e plotësuan këtë premtim  ku të akuzuarit botuan identitetet e atyre që kishin bashkëpunuar me autoritet hetuese dhe këta siç tha ajo, do të ekspozoheshin, turpëroheshin  margjinalizoheshin dhe të dëmtoheshin.
Për sa i përket pengimit të procedurave penale, prokurorja Bolicci ka thënë se provat në këtë çështje janë aq të fuqishme sa që qëllimi përfundimtar që ka të bëjë me sjelljen e të akuzuarve ishte që ata kishin për qëllim të pengonin këtë institucionin të kryente detyrat e veta.
“Të akuzuarit nuk mund ta shprehnin më qartë që ata janë kundër DHSK dhe ZPS, “Kjo gjykatë është monoetnike, raciste, praktikon drejtësi selektive sepse nuk ndjek krimet serbe, mbështetet nga çdo tradhtarë dhe spiun ,i thërret dëshmitarët që janë armiq bashkëpunëtor”, dhe gjatë këtij gjykimi megjithëse ata u përpoqën ata nuk mund ta fshihnin përbuzjen për këtë institucion”, tha ajo.
Në deklaratën përmbyllëse, prokurorja nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), Valeria Bolicci, ka thënë se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kishin ndërmarrë veprime që të zhbënin Gjykatën Speciale.
“Në 15 paraqitje publike dhe deklarata të akuzuarit kanë deklaruar se ata po i kryenin këto veprime në mënyrë që të shpërndanin këtë gjykatë, që të zhbëhej kjo gjykatë”, tha Bolicci, raporton “Betimi për Drejtësi”.
E njëjta ka deklaruar se në qoftë se faktet e kësaj çështje penale nuk injorohen dhe nuk keqinterpretohet ligji i zbatueshëm, do të pranohet përgjegjësia penale e të akuzuarve si shumë e qartë.
Sipas saj, mbrojta e di shumë mirë këtë dhe prandaj e argumenton se të akuzuarit megjithatë duhet të shfajësohen nga përgjegjësia penale bazuar mbi një numër mbrojtjesh të sajuara, të cilat sipas saj nuk bazohen në dispozita të shëndosha.
Prokurorja Bolicci ka shtuar se gjatë gjithë këtij gjykimi të akuzuarit janë përpjekur që ta paraqisnin veten si përfaqësuesit, flamurtarët e një drejtësie të lartë, një version i modern i “Antigonës”.
“Ata thonë se nuk duhet të ndëshkohen sepse duke shkelur ligjin ata ndoqën synimet e drejtësisë që i kanë përkufizuar ata vetë. Ne këtu nuk do të përfshihemi në thënie se pse ligji për mbrojtjen e sekretit të hetimeve, privatësisë, sigurisë, dinjitetit mirëqenies së dëshmitarëve janë të domosdoshme dhe të drejtpërdrejtë. Ne gjithashtu nuk do të diskutojmë se pse nëse të akuzuarit në fakt u përpoqën të ndjekin apo të zbatojnë interesat e një grupi individësh kundër interesave të shoqërisë që bazohen në ligj”, tha ajo.
Sipas Boliccit, provat kundër Gucatit dhe Haradinajt janë shumë bindëse, ku siç thotë ajo në video incizime ata shihen dhe dëgjohen duke e shprehur me fjalë qëllimin e tyre kriminal në mënyrë të hapur dhe të ashpër dhe të përsëritur.
“Mbetet e pa kundërshtuar se të dy kanë bërë tre konferenca shtypi më 7,16 dhe 22 shtator 2020, nuk është kundërshtuar se ata kanë shpallë se kishin në posedim dokumente konfidenciale që i përkisnin TFH-së dhe ZPS që përmbanin emra dhe të dhëna personale të dëshmitarëve të mbrojtur si dhe nuk kundërshtohet se ata kanë shpallur se kanë dhënë këto informacione konfidenciale aty që ishin të pranishëm dhe të gjithë publikut, është e incizuar se ata iu drejtuan dëshmitarëve ose i quajtën dëshmitarët dhe ata që bashkëpunuan me ketë gjykatë si tradhtarë, gënjeshtarë, spiunë dhe bashkëpunëtorë dhe ata thanë që këta dëshmitarë nuk mund të mbroheshin më”, tha ajo.
Sipas prokurores nga ZPS, pjesa tjetër e provave që janë paraqitur në gjykatë plotësojnë dhe vulosin provën për përgjegjësinë e të akuzuarve për të gjitha krimet në aktakuzë përtej dyshimit të arsyeshëm.
“Provat shtesë erdhën jo vetëm nga dëshmitarët të paraqitur nga ZPS por papritur dhe në mënyrë shumë domethënëse edhe nga dëshmitarët që paraqitën nga mbrojtja sa herë që dëshmitarët e mbrojtjes u përballën me faktet që lidheshin me akuzat, ata nxorën prova inkriminuese njëra pas tjetrës, duke filluar edhe nga vet të akuzuarit”, tha ajo, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Nis dhënia e deklaratave përmbyllëse nga ZPS në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) të hënën ka filluar dhënien e deklaratës përmbyllëse në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Kurse pas saj, trupi gjykues i kryesuar nga Charles L Smith II ka bërë të ditur se pritet që mbrojtja të paraqesin deklaratat e tyre përmbyllëse, më 15 dhe 16 mars.
Më pas, sipas tij, më 17 mars do të pasohet me përgjigjet si dhe parashtrimet e ZPS-së lidhur me dënimin, kurse, më 18 mars do të vazhdohet me parashtrimet e mbrojtjes lidhur me dënimin dhe me deklaratat e të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”
Ndryshe, Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.
“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Back to top button