ZRRE: Nga 16 gushti, konsumatorëve pa kontratë u ndërpritet furnizimi me rrymë

Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar se nga 16 gushti, konsumatorët të cilët nuk kanë nënshkruar kontratë komerciale me një nga furnizuesit e licencuar në treg të lirë, do t’u ndërpritet furnizimi me rrymë.
Në një njoftim për media, ZRRE-ja ka bërë të ditur se e ka marrë aktvendimin e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, që ka refuzuar shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.
“Ashtu siç kemi theksuar edhe më herët, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, në mënyrë transparente dhe të paanshme, duke respektuar të gjitha standardet procedurale dhe materiale. Ligjshmëria e këtij procesi po konfirmohet nga gjykatat kompetente, së fundi edhe nga Gjykata Komerciale – Dhoma Shkalla e Dytë, duke vërtetuar se të gjithë hapat janë ndërmarrë në përputhje me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës. ZRrE u bën thirrje të gjithë konsumatorëve komercialë që duhet të jenë në treg të lirë dhe që ende nuk kanë lidhur kontratë komerciale të furnizimit me energji elektrike, të veprojnë pa vonesë dhe të zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar të publikuar në faqen zyrtare të ZRrE, sepse nga data e 16.08.2025 konsumatorët komercial të cilët nuk kanë nënshkruar kontratë komerciale me një nga furnizuesit e licencuar do të ndërpriten nga rrjeti energjetik”, thuhet në njoftim.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë në mars ka njoftuar daljen në treg të hapur të energjisë për bizneset e mëdha. Vendimi i cili prek mbi 1000 biznese, u kundërshtua nga ky komunitet,
Para disa javëve, Komercialja pati anuluar njoftimin për dalje në treg të lirë.