ZRrE: Tarifat me blloqe për të gjitha kategoritë e konsumatorëve do të përdoren për të nxitur konsumin efiçient të energjisë elektrike

(Lajm i përditësuar)
ZRrE: Tarifat me blloqe për të gjitha kategoritë e konsumatorëve do të përdoren për të nxitur konsumin efiçient të energjisë elektrike
Zyra e Rregullatorit për Energji ditën e sotme gjatë mbatjes së seancës së katërt ka aprovuar tarifat e energjisë elektrike me rritje prej 16.1 % për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Përmes një njoftimi në Facebook, ZRrE thotë se tarifat me blloqe për konsumatorët shtëpiak dhe tarifat ditë-natë për të gjitha kategoritë e konsumatorëve do të përdoren për të nxitur konsumin efiçient të energjisë elektrike
“Më 16.04.2025, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka mbajtur seancën e katërt për vitin 2025. Në këtë seancë, Bordi i ZRRE-së ka shqyrtuar dhe aprovuar tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe tregut OST/OT, tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të shpërndarjes OSSH dhe tarifat për Furnizuesin me Shërbim Universal FSHU. Këto tarifa për konsumatorët e rregulluar tarifor janë llogaritur dhe dizajnuar ashtu që brenda vitit relevant, të hyrat që priten të mblidhen nga këto tarifa do të jenë të barabarta me të Hyrat e Lejuara Maksimale të aprovuara nga Rregullatori, që reflektojnë rritjen lineare të tarifave të rregulluara prej 16.1 % për të gjitha kategoritë e konsumatorëve në kuadër të shërbimit universal. Këto tarifa do të hyjnë në fuqi nga 1 maj 2025. Tarifat me blloqe për konsumatorët shtëpiak dhe tarifat ditë-natë për të gjitha kategoritë e konsumatorëve do të përdoren për të nxitur konsumin efiçient të energjisë elektrike. Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe ankesat e konsumatorëve dhe çështje të tjera të lidhura me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji”, thuhet në njoftim. /21Media
Miratohen tarifat e reja të energjisë elektrike
Zyra e Rregullatorit për Energji ka miratuar të mërkurën tarifat e reja të energjisë elektrike, që mesatarisht janë 16.1 për qind më të larta se që ishin deri tash.
Me 5 vota për, asnjë kundër, janë miratuar tarifat për Shfrytëzimin e Rrjetit të Transmetimit dhe Tregut, tarifat për Shfrytëzimin e Rrjetit të Shpërndarjes dhe tarifat për Furnizuesin me Shërbim Universal.