Zymberi zbulon prapaskenat e shkarkimit të Nuhiut dhe pengun e Dritës për vitin 2022

Megjithëse e mbyllën vitin si kampion vjeshtor në Superligën e Kosovës, viti 2022 për Dritën ishte me ulje dhe ngritje sa i përket rezultateve dhe ecurisë sportive.
Ani pse e konsideron si vit pjesërisht të suksesshëm, drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi në një intervistë, thotë se eliminimi nga Kupa e Kosovës ishte një objektiv shumë i rëndësishëm që u humb pas ballafaqimit me Lirinë e Prizrenit.
“Pjesërisht i suksesshëm, një vit për faktin se pavarësisht se ndoshta jemi në vend të parë dhe jemi kampion vjeshtor, ndoshta një peng është sepse jemi eliminuar herët nga Kupa e Kosovës e që pa asnjë diskutim ka qenë një prej objektivave tona sepse objektiv primar patjetër që është titulli kampion. Por marrë në përgjithësi rrethanat se si ka shkuar kampionati, gjithë këto 18 sfida që i kemi zhvilluar, vështirësitë, lëndimet, mungesa e të gjitha gjërat tjera, kanë bërë që kryesisht ta përmbledhim si një kampionat të suksesshëm dhe një rrugë e mirë në të cilën jemi nisur”, tha Zymberi.
Sipas Zymberit, trofeu i Kupës së Kosovës ishte aq shumë i dëshiruar nga ana e drejtuesve të klubit, sa që eliminimi tronditi klubin, e sidomos drejtuesit e tij, të cilët nuk e patën të lehtë ta tejkalonin.
“Jo më i rëndësishmi, por jo edhe më pak i rëndësishmi për faktin sepse prioritet për neve e kemi thënë që është titulli kampion dhe paraqitjet në kupat e Evropës, aty ku është edhe synimi ynë dhe fokusi ynë, por gjithsesi një eliminim i hershëm ka lënë një shije të hidhur edhe tek presidenti dhe udhëheqësi jonë andaj edhe janë këto momente kur ndoshta e kanë dhënë një lloj tronditje brenda për brenda klubit, por gjithsesi ne jemi klub që jo rrallë herë ndoshta kemi pasur gjërat të tilla. Të gjitha klubet që janë pretendente ose që emetojnë të jenë kampione apo në krye të tabelës gjithmonë do të kenë këso vështirësi, gjithmonë do të kenë këso sfida, andaj edhe ne duhet që ta tejkalojmë këtë vështirësi, ta harrojmë sa më shpejtë kupën dhe të mundohemi që ta kurorëzojmë me titullin kampion”, theksoi Zymberi.
Madje, humbja e këtij objektivi solli edhe shkarkimin e trajnerit, Adrian Nuhiu, i cili ishte në krye të klubit gjilanas që nga viti 2019.
“Çështja e kupës, apo kjo sfidë që na doli gjatë rrugës me eliminimin e hershëm të kupës ka qenë ndoshta jo lehtë e kapërdishme nga aksionarët tonë, nga presidentët tanë të cilët nuk e kanë përjetuar lehtë dhe ndoshta në mënyrën më të mirë të mundshme sepse dihet që Drita tani e shtatë vite në udhëheqjen e këtyre aksionarëve, presidentëve të vetmin trofe që nuk e ka fituar ende është kupa dhe ndoshta ka qenë një prej dëshirave shumë të mëdha e që nuk është kapërdirë lehtë dhe ndoshta ka ardhur momenti ku është menduar dhe është vendosur nga vet ata lartë që ndoshta të sillet një ndryshim”, bëri të ditur Zymberi.
Ndarja me Nuhiu, Zymberi thotë se nuk ishte aspak e lehtë për klubin.
“Normalisht që një ndarje e tillë ka qenë emocionale, ka qenë të them të drejtën edhe për të gjithë ne edhe për vet krerët e klubit të cilët e kanë marrë një vendim të tillë sepse nuk është e lehtë që pa ndonjë fije emocioni të ndahesh me një njeri me të cilin ke kaluar një kohë shumë të gjatë, ke arritur suksese kulminante, ke pasur momente historike të paharrueshme dhe është normale, por që përtej kësaj, klubi dhe njerëzit që merren përreth klubit janë të përgatitur dhe e marrin në aspekt profesionale sepse këto gjëra janë të pranishme dhe çoftë trajneri, çoftë edhe ne si udhëheqësi, nëse nuk jemi të përgatitur për momente të tilla atëherë nuk jemi për këtë punë”, tha Zymberi.
E derisa fillimi i edicionit pranveror po ofron, Drita vazhdon të mos ketë një stadium ku t’i zhvillojë ndeshjet. Për këtë çështje, Zymberi potencon se tashmë i kanë humbur edhe shpresat se do të bëhet diçka konkrete për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Gjilan.
“Absolutisht, të zhgënjyer jashtëzakonisht shumë sepse po mundohemi të organizohemi dhe në fund të fundit, gjithë organizimin që bëjmë por nuk ke se ku ta shfaqësh punën tënde që e ke bërë. Njësoj është edhe me stadiumin e qytetit. Është pak zhgënjyese sepse idetë kanë qenë që shumë shpejtë të fillojë edhe të kemi procedura të përshpejtuara në mënyrë që të fillojë, por po e shohim që po shkon me një ritëm shumë të ngadalësuar. Zhgënjimi është aq i madh sa që nganjëherë duket sikur ka humbur shpresa në kuptimin se a do të fillojë apo jo. Dëgjojmë çdo ditë deklarata çoftë nga ministri apo institucionet tjera po punohet, po punohet, por në fakt ne nuk jemi duke parë diçka nëse vërtetë është duke u punuar apo jo”, tha Zymberi.
Zymberi gjithashtu bëri të ditur se Drita pritet të sjellë përforcime të reja në afatin kalimtar të janarit, por që kjo do të bëhet pas një konsultimi me tashmë trajnerin e ri, Arsim Thaçin.

Back to top button