Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi sot ka pritur në takimin Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me të cilin ka diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimin në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian në kompletimin e infrastrukturës rrugore dhe projektet që ministria mbulon.

Abrashi, siç informoi ministria, e ka njoftuar përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për prioritetet dhe objektivat e Ministrisë së Infrastrukturës, e që janë modernizimi i hekurudhave dhe lidhja e Kosovës me autostradat e vendeve të regjionit.

Ndërkaq, Szunyog ka thënë se Zyra e Bashkimit Evropian e rikonfirmon mbështetjen për Kosovën në rrugën e integrimit dhe modernizimit të infrastrukturës, duke vlerësuar se BE-ja mbetet partner i Kosovës. ​

Tutje, Abrashi ka theksuar se me Bashkimin Evropian do të punojnë ngushtë, duke bërë të ditur se Republika e Kosovës është e përkushtuar në rrugës e saj drejt integrimit./21Media