Zyrtare, Amir Rrahmani mungon kundër Suedisë

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar zyrtarisht se kapiteni i Kombëtares, Amir Rrahmani, nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së hënës kundër Suedisë, që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.
Pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se mbrojtësi i Napolit nuk mund të luajë për shkak të lëndimit të pësuar në përballjen e fundit ndaj Zvicrës në Bazel.
Për këtë arsye, Rrahmani është liruar nga grumbullimi i Kombëtares dhe do të rikthehet në klubin e tij për të vazhduar trajtimin mjekësor.
FFK bën të ditur se synimi është që kapiteni të rikuperohet sa më shpejt dhe të jetë i gatshëm për sfidat e muajit tetor, ku Kosova do të përballet me Slloveninë dhe Suedinë.
Dardanasit do ta zhvillojnë pa liderin e tyre një nga ndeshjet më të rëndësishme të kësaj kampanje kualifikuese.