Zyrtare: Banka Botërore nuk do të mbështesë termocentralin “Kosova e Re”
Po mbahen Takimet Vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar
Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim konfirmoi se Banka Botërore ka marrë një vendim të qartë për të mos përkrahur termocentralin “Kosova e Re”.
“Na kërkohet me aktet tona nënligjore të ndjekim opcionet me kosto më të ulët – meqë burimet alternative tani janë nën koston e qymyrit, pa dyshim nuk do ta mbështesim një projekt të tillë.” , është përgjigjur ai në pyetjen e drejtuar nga Drejtori Ekzekutiv i organizatës joqeveritare Balkan Green Foundation, Visar Azemi gjatë Takimeve Vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në Bali, Indonezi.
I pranishëm nga Kosova në këto takime është edhe Burim Ejupi nga Instituti për Politikat Zhvillimore (INDEP).
Këto takime bashkojnë bankierët qendrorë, ministrat e financave dhe të zhvillimit, drejtuesit e sektorit privat, shoqërinë civile, mediat dhe akademinë për të diskutuar çështje mbi perspektivën ekonomike botërore, stabilitetin financiar global, çrrënjosjen e varfërisë, rritjen ekonomike, e ndryshet klimatike.
Termocentrali “Kosova e Re” pritet të fillojë të ndërtohet në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Projekti është paraparë të kushtojë 1. 3 miliardë euro dhe pritet të lëshohet në funksion në viti 2023.
Ndërsa Qeveria e Kosovës muajin e kaluar lidhur me ndërtimin e termocentralit ka nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane “Contour Global”./21Media