Zyrtare, Ronaldo rinovon kontratën me Al Nassr

Cristiano Ronaldo ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me klubin saudit Al Nassr deri në qershor të vitit 2027. Lajmi u konfirmua të mërkurën nga burime të afërta me klubin dhe është bërë tashmë i plotfuqishëm me firmat dhe detajet finale të dakorduara të enjten.
Superylli portugez, i cili i është bashkuar Al Nassr në fund të vitit 2022, do të vazhdojë të udhëheqë projektin ambicioz të klubit në Arabinë Saudite dhe të jetë një figurë qendrore në strategjinë afatgjatë të Saudi Pro League për të ngritur nivelin e futbollit në rajon dhe për të rritur ndikimin ndërkombëtar të kampionatit.
“Një kapitull i ri fillon. I njëjti pasion, e njëjta ëndërr. Le ta bëjmë historinë bashkë”, u shpreh Ronaldo në një deklaratë pas firmës së kontratës së re.
Rinovimi i kontratës vjen në një moment kur përflitej për të ardhmen e tij, me disa zëra që lidhnin Ronaldon me një rikthim të mundshëm në Evropë ose një përfundim të karrierës së tij së shpejti. Megjithatë, 39-vjeçari ka treguar se është ende i përkushtuar ndaj projektit të Al Nassr dhe vizionit të madh të futbollit saudit.